Merkel: Dështimi i kushtetutës me pasoja për Evropën
18 Qershor 2007'Nëse kjo nuk arrihet, pasojat për të ardhmen e Evropës do të ishin të rënda e të papërshkrueshme', tha Merkel në deklaratën e saj qeveritare në parlament për politikën evropiane. Takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive në Bruksel më 21 dhe 22 qershor do të hapë rrugën për marrëveshjen e përbashkët evropiane deri në 2009-ën.
Pengesa më e madhe vazhdon të jetë qëndrimi refuzues i Polonisë ndaj rregullave të planifikuara të shumicës gjatë votimeve në këshillin ministror evropian. Vende të tjera kanë rezerva ndaj pikave tëcaktuara, të cilat në projektkushtetutën fillestare i jepnin Evropës pamjen e një 'supershteti'.
Mbi perspektivën e Brukselit ndaj projektit evropian të Merkel-it: 50 me 50 - kështu llogariten shancet e një suksesi në samitin e Bashkimit Evropian javën e ardhshme. Në deklaratën e vet qeveritare kancelarja Angela Merkel foli për 'shance mirëkuptimi'. Ndërkohë dihet se ajo që njëherë quhej marrëveshje kushtetuese dhe do të kthehej në një kuadër gjithëpërfshirës është reduktuar dukshëm: jo vetëm në përmasa por pjesërisht edhe në përmbajtje: 'Javët e fundit numri i çështjeve të hapura ka rënë - ky numër është i manaxhueshëm. Megjithatë ato janë vërtet të ndërlikuara.'Kështu u shpreh Merkel në parlament.
E qartë është se ndërkohë flitet vetëm për ndryshim marrëveshjeje dhe jo më për marrëveshje kushtetuese. Gjithçka që ngjante shumë me një shtet evropian u fshi: flamuri me yje dhe himni i Bethoven-it nuk do të sanksionohen në kushtetutë. Marrëveshja do të formulohet aq ngurtësisht saqë askush të mos kujtojë se Evropa po kthehet në supershtet.
Këto janë lëshime ndaj shumë vendeve anëtare, për shembull ndaj Holandës: një nga arsyet përse marrëveshja kushtetuese fillestare dështoi në referendumin e atjeshëm të 2005-ës ishte edhe sepse kundërshtarët argumentuan që Holanda e vogël mund të fundosej në Evropën e madhe. Lamtumirë kushtetutë: më shumë sesa një marrëveshje e re nuk gëzon konsensus në Bashkimin Evropian aktual të 27 anëtarëve.
E hapur është çështja nëse kjo do të arrihet në të gjitha pikat e veçanta. Pikë qendrore është e ashtuquajtura shumicë e dyfishtë: sipas saj nevojitet miratimi i 55 për qind të shteteve anëtare, të cilat duhet të përbëjnë minimumi 65 për qind të popullsisë. Pesha e votës polake kundrejt shteteve të mëdha të BE-së si Gjermania do të zvogëlohej dukshëm: këtë nuk duan ta pranojnë binjakët polakë, presidenti i shtetit Lech Kaczynski dhe kryeministri Jaroslaw Kaczynski. Por Polonia qëndron vetëm në këtë pikë, ka sinjale të para se vendi nuk do të izolohet.
Duhen ngritur ura mirëkuptimi, mendon deputeti evropian me përvojë, socialdemokrati Klaus Hänsch: 'Ata kanë vetë kërkesa dhe dëshira kundrejt Bashkimit Evropian, para së gjithash për solidaritet evropian në çështjen e furnizimit energjetik dhe marrëdhënieve me Rusinë, kështu që mendoj se mund t'i drejtojmë në një rrugë me arritjen e një rezultati në fund.'
Por edhe britanikët paraqesin vështirësi. Në bashkëpunim me të tjerë ata refuzojnë ministrin e jashtëm evropian. Këtu duhet gjetur një emërtim më asnjanës: megjithatë posti i ri do të marrë kompetenca të reja. Britania e Madhe nuk do të pranojë as kartën ekzistuese të të drejtave themelore si pjesë të marrëveshjes: tani teksti do t'i referohet thuajse druajtur faktit që kjo kartë ekziston dhe ka fuqi ligjore. Rëndësi ka që të mos bjerë në sy. Londra kundërshton edhe faktin që në të ardhmen shumica e ligjeve evropiane do të miratohen me shumicë dhe jo njëzëri.
Në samitin e BE-së, i cili këtë herë mund të zgjasë shumë, do të sillen shumë dëshira të veçanta - dhe do të luftohet për to. Qëllimi i Merkel-it duhet të jetë pajtimi i sa më shumë grindjeve. Nuk është e thënë që samiti të ketë detyrimisht fjalën e fundit: formalisht do të dhe duhet thirrur një konferencë qeveritare nën presidencën e Portugalisë. Për këtë nuk nevojitet unanimiteti në samit. Disa prej çështjeve më të vështira të pazgjidhura mund të shtyheshin edhe për atëherë.