Merkel dënon Serbinë se ka kontribuar në konfliktin në veri të Kosovës
2 Dhjetor 2011"Në këto ditë kur euroja gjendet gati përditë në qendër të debatit çështje të tjera evroiane dalin fatkeqësisht shpesh në plan të dytë", tha Merkel. Kjo vlen për shembull për politikën e zgjerimit (të BE-së), e cila është tradicionalisht në rendin e ditës të takimit të dhjetorit të Këshillit Evropian.
"Qeveria gjermane mbështet perspektivën për BE të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor", tha kancelarja gjermane. Ajo shtoi se në suazat e mbledhjes së Këshillit Evropian do të nënshkruajë për Gjermaninë marrëveshjen e anëtarësimit me Kroacinë. "Për ne ka rëndësi vendimtare, që Mali i Zi të bëjë hapa të tjerë përpara në konsolidimin e shtetit ligjor dhe në luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar", tha ajo. "Ne do t'i kërkojmë këto hapa, por edhe do ta ndihmojmë Malin e Zi që të jetë në gjendje të përmirësojë gjërat, që janë për t'u përmirësuar."
Ajo u ndal veçanërisht te Serbia dhe e dënoi se ka kontribuar në konfliktin në veri të Kosovës, çka ka shpënë edhe në plagosjen e paqeruajtësve gjermanë. "Në planin afatgjatë duam të afrojmë jo vetëm Serbinë, po edhe Kosovën në Bashkimin Evropian dhe ta mbajmë BE-në me aftësi të plotë funksionimi." Prandaj, vijoi kancelarja, udha e Serbisë drejt BE-së kalon vetëm nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. BE-ja dhe qeveria gjermane kanë formuluar këtu herët shpresa për hapa konkretë. "Më vjen shumë keq që deri tani Serbia nuk i ka plotësuar mjaftueshëm këto pritje e kësisoj nuk ekzistojnë deri tani parakushtet për dhënien e statusit të vendit kandidat", plotësoi Merkel. Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë pjesë e politikës së zgjerimit të BE-së, në kriteret e Kopenhagës, theksoi ajo.
Serbia, duhet gjithashtu të përballet me akuzën se ditën e fundit ka kontribuar në një atmosferë, në të cilën janë sulmuar dhe plagosur me armë zjarri ushtarë gjermanë në veri të Kosovës, tha ajo. "Unë them që kjo nuk është e pranueshme. Ushtarët tanë kryejnë atje një shërbim të shkëlqyer dhe për këtë shërbim ne u jemi mirënjohës."
Autor: Elert Ejazaj
Redaktoi: Aida Cama