Merkel dhe Tadiç flasin për Kosovën dhe kriminelët e luftës
1 Dhjetor 2006Kancelarja Angela Merkel takoi të premten Presidentin serb Boris Tadiç në një prej takimeve seri, të cilat ajo është duke i zhvilluar më kryetarë shtetesh, në kuadër të presidencës së radhës të BE, që Gjermania e merr më 1 janar.
Para takimit Merkel tha se ajo do të fliste me Presidentin Tadië për çështjen e Kosovës.
Vendimi pritet të merret vitin tjetër duke i dhënë provincës së populluar kryesisht me shqiptarë një lloj pavarësie, hap të cilin Serbia e kundërshton më forcë.
Shqiptarët e Kosovës, kërkojnë pavarësi, ndërkohë që Serbia është e gatshme tu japë atyre vetëm autonomi.
Merkel i tha Tadiçit se Gjermania është e interesuar të ketë marrëdhënie të ngushta me Serbinë dhe është e gatshme të ndihmojë atë në rrugën drejt pjesës tjetër të Evropës.
Kusht dënimi i krimeve të luftës
Kusht për këtë është që Beogradi të „bashkëpunojë mirë“ me Gjykatën Ndërkombëtarë të luftës në Hagë, e cila është duke dënuar krimet e luftës në ish Jugosllavi, tha ajo.
Tadiç, anëtar i Partisë Demokratike, parti properëndimore në opozitë, tha se Gjermania ka qenë "partneri kryesor" i Serbisë në Europë. Gjermania është anëtare e Grupit të Kontaktit të fuqive të huaja, që mbikqyrin paqen në provincën e shkëputur nga Serbia, që prej konfliktit të 1998-1999.
Presidenti Tadiç falenderoi kancelaren Merkel për përkrahjen që ajo i dha vendimit të Natos për të pranuar Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor në „Partneritetin për paqe“.
Vendimi shtyhet
Vizita e Tadiçit në Gjermani ndodh në një moment shumë delikat për Serbinë. Mediatori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën Martti Ahtisaari vendosi së fundi të mos prezantojë planet e tij për të ardhmen e Kosovës, deri sa zhvillohen zgjedhjet të cilat Tadiç i ka thirrur për më 21 janar.
Hap i vogël në drejtim të anëtarësimit në BE
Në lidhje me ofertën për të marrë pjesë në „Parnteritet për paqe“ të cilën liderët e Natos të mbledhur në Riga ja ofruan Serbisë, presidenti Tadiç tha se ky është rezultat i reformave.
"Është një lajm i shkëlqyer për qytetarët tanë, për ushtrinë tonë dhe shtetin," tha Tadiç.
Tadiç shtoi se Serbia duhet të arrestojë të kërkuarit për krime lufte dhe t'i dërgojë ata në Hagë.
Mosarrestimi nga Serbia e gjeneralit boshnjak Ratko Mladiç, detyroi Brukselin në muajin maj të bllokojë bisedimet që synojnë të ofrojnë Beogradin me EU.
Prokurorja e Përgjithshme e Hagës, Carla Del Ponte, e cila i bën presion perëndimit të izolojë Serbinë deri sa të dënojë kriminelët e luftës, nuk ishte dakort me vendimin e marrë në Rigë, tha zëdhënësi i saj në Hagë.