Merkel dhe Sarkozi duan zgjidhje të shpejtë të krizës kushtetuese në BE
16 Maj 2007Merkel vizitën e menjëhershme të Sarkozisë në Gjermani e vlerësoi si një "shenjë të miqësisë së shkëlqyer gjermano-franceze". Sarkozi të mërkurën mori postin e presidentit të shtetit nga parardhësi i tij Zhak Shirak, që për dymbëdhjetë vjet me radhë ka qenë në krye të Francës.
Merkel dhe Sarkozi theksuan, se menjëherë duan të fillojnë punën për të gjetur zgjidhjet për reformën në BE. Sipas Sarkozisë politika evropiane e Francës nën drejtimin e tij nuk do të karatkerizohet prej "qëndrimit pritës". Ai tha, se "ka ardhur si evropian dhe si mik me përfytyrime të qarta, që duhet të kenë rezultate."
Pas "jo-së" së francezëve në referendumin për kushtetutën e BE-së në maj të vitit 2005 Sarkozi është i bindur, se teksti i marrëveshjes kushtetuese nuk ka më shanse në Francë. Për këtë arësye në verë ai do që të kalojë për ratifikim në parlament një "marrëveshje të thjeshtuar". Ky tekst i thjeshtuar duhet të ketë për qëllim, që BE-ja e zgjeruar sot me 27 antarë të mund të funksionojë. Sarkozi ka mundësi që të përsfhijë në këtë tekst pjesën e kushtetutës për institucionet e BE-së si dhe pjesën bazë të marrëveshjes kushtetese.
Kancelarja Merkel si presidente e radhës së BE-së theksoi qëllimin e saj, që deri në zgjedhjet për Evropën në vitin 2009 ta vendosë BE-në mbi "një bazë marrëveshjeje të re". Marrëveshja me Sarkozinë mund të ndihmojë, që samiti i BE-së në qershor ta avancojë këtë proces dhe që zgjidhjet të arrihen në harmoni të plotë me Francën. Sarkozi theksoi, se për Francën miqësia gjermano-franceze është "e shenjtë".
Merkel dhe Sarkozi njihen qysh prej vitesh si kryetarë të partive si motra kristiandemokrate CDU në Gjermani dhe UMP në Francë. Gjatë pritjes me nderime ushtarake përpara kancelarisë të dy politikanët u përshëndetën me puthje në faqe. Duke shtrënguar duart Sarkozi e përqafoi disa herë kancelaren Merkel. Të dy i drejtohen njëri-tjetrit me ti dhe gjatë deklaratës së shtypit Sarkozi i drejtohej Merkelit me "e dashur Angela".