Mbyllet radioja e të huajve në Berlin
21 Maj 2008"Quhem Kristina, jetoj në Krojcberg dhe e dëgjoj "Radiomultikulti" sepse më pëlqejnë informacionet, muzika dhe dhe programi grek, meqë jam duke mësuar greqisht" - thotë një dëgjuese berlineze në reklamën e transmetuar, të mërkurën 21.06.08, në "Cafe Global", njërin nga emisionet muzikore të radios kryeqytetase. Prezantuesja Begzada Kilian vazhdon me një zë të trishtuar: "Ja që, së shpejti nuk do të na dëgjoni më sepse radioja jonë në fund të vitit do të mbyllet. Një ditë e zezë...", - vazhdon berlinezja me prejardhje boshnjake.
"Radiomultikulti" u themelua në vitin 1994 si një projekt model i një programi që bëhej kryesisht nga të huajt dhe për të huajt. Në fillim ai financohej edhe nga ministria e punës dhe çështjeve sociale, por ky subvencionim është hequr prej kohësh.
Sipas ligjit gjerman, radiotelevizioni publik duhet të financohet nga taksat që paguhen enkas për medien. Dhe këtu qëndron problemi: "Radiotelevizioni Berlin-Brandenburg vjel shumë më pak taksat se stacionet e landeve të tjera që kanë më shumë të ardhura se sa shpenzime", thotë drejtori i RBB-së, Kristof Zingelshtajn (Christof Singelstein).
Berlini dhe Brandenburgu janë lande me struktura të dobëta sociale dhe shumë banorë, afro 15 përqind, janë çliruar nga detyrimi për të paguar taksën për medien, pasi janë tepër të varfër ose të varur nga asistenca sociale. Kjo ka bërë që RBB-së t'i mungojnë 54 milionë EURO në buxhet, 16 milionë syresh ajo tani shpreson t'i kursejë duke hequr programet e të huajve.
Pasoja negative për integrimin e shqiptarëve
I prekur është edhe programi shqip që drejtohej nga Milazim Vllasaliu. "Për shumicën e bashkëpuntorëve ishte një shok i madh, sepse ne kemi 14 vjet me radhë që po punojmë dhe ky lajm na ka prerë dëshirën për të vazhduar më tej", thotë Vllasaliu për Deutsche Wellen.
"Multikulti" zinte afro 0,8 për qind të tregut, një shifër kjo deri diku modeste dëgjuesish, por shumë politikanë dhe analistë mendojnë se "Multi kulti" që kryesisht prezantonte jetën e imigrantëve në Berlin dhe Brandenburg si edhe i informonte ata në gjuhët e tyre për ngjarjet e ndryshme që ndodhnin në Gjermani, përbënte një nyje shumë të mirë për integrimin e të huajve.
Teki Temaj, një nga dëgjuesit e rregullt të programit shqip dhe anëtar i Partisë Socialdemokrate gjermane, kritikon: "Njerëzit kishin fituar shumë besim tek radioja, ku mund të informoheshin si për ngjarjet në vendin e tyre, ashtu edhe për ato që ndodhnin në politikë dhe mendoj se mbyllja e radios do të ketë ndikim negativ ndaj integrimit të shqiptarëve këtu në Berlin".
Një ngushëllim: Frekuenca e mbetur bosh do të plotësohet nga programi simotër nga Këlni "Funkhaus Europa". Por nuk dihet se sa do t'u hyjë në punë imigrantëve të kryeqytetit kjo radio, e cila trajton kryesisht jetën e të huajve në Nordrajn Vestfali (Nordrhein Westfallen), gjeografikisht 500 kilometra larg Berlinit.