Marrëveshje e tregtisë së lirë nën hijet e spiunazhit
9 Korrik 2013Të negociohet apo jo? Pas zbulimeve të ish punonjësit të shërbimit sekret të SHBA-së, Edward Snowden, Komisionerja e BE-së për drejtësinë, Viviane Reding, pati kërkuar që të mos flitet në asnjë mënyrë për tregti të lirë mes BE-së dhe SHBA-së, për sa kohë nuk bëhet e qartë nëse shërbimi sekret amerikan NSA ka përgjuar vërtet institucionet evropiane. Bëhet fjalë për marrëveshjen që në të ardhmen duhet të lehtësojë tregtinë, të heqë taksat doganore dhe të krijojë qindra mijëra vende pune.
Të hënën (08.07.2013) bisedimet filluan megjithatë sipas planit, edhe pse shërbimet sekrete të SHBA-së kishin spiunuar me aparate përgjimi përfaqësinë e BE-së në Uashington. Indinjata është e madhe, besimi është lëkundur. Politikani liberal Rainer Brüderle (FDP), kërkoi që negociatat të fillojnë me temën e spiunazhit ekonomik. "Nuk sjell asgjë që të ulim doganat, kur në të njëjtën kohë firmat përgjohen", tha ai për kanalin e parë televiziv gjerman ARD. Nuk mund të ketë asnjë marrëveshje pa sqaruar pastër dhe me besim çështjen e spiunazhit ekonomik.
Paralelisht me çështjet tregtare filloi punën edhe një grup pune për të diskutuar akuzat për përgjim, siç bëri të ditur përfaqësia e BE-së në Uashington. Në bisedimet në nivel zyrtarësh do të diskutohen fillimisht çështje proçeduriale dhe afatet. Hollësi të tjera nuk u bënë të ditura.
Politikanët paralajmërojnë për rrezikun e spiunazhit ekonomik
Shumë zhurmë shkaktoi zbulimi se shërbimi i fshehtë NSA ka survejuar edhe qarkullimin e të dhënave në Gjermani. Politikanët druajnë se amerikanët nuk interesohen vetëm për luftimin e terrorizmit por edhe për informacione për sipërmarrjet. Spiunimi i ekonomisë së shteteve anëtare nuk pajtohet me një zonë tregtie të lirë, tha kryetari i grupit parlamentar të konservatorëve (CDU-CSU) Volker Kauder, për gazetën "Rheinische Post". Ministrja gjermane e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger (FDP) kërkoi në gazetën "Süddeutsche Zeitung" që në nagociata fillimisht të flitet për mbrojtjen e të sekretit të firmave dhe bizneseve dhe për mbrojtjen e të dhënave.
Deri tani Kina konsiderohej si sulmuesi kryesor kur ishte fjala për spiunazh të firmave. Kjo nuk ndryshon edhe pas zbulimeve të fundit, thotë eksperti i ekonomisë në institutin "ifo", Gabriel Felbermayr, në bisedë me Deutschen Welle. Ai nuk sheh asnjë lidhje mes spiunazhit ekonomik dhe marrëveshjes së ardhshme të tregtisë së lirë mes SHBA-së dhe BE-së. Nëse kjo marrëveshje ka diçka negative kjo nuk ka të bëjë me spiunazhin ekonomik por me rritjen e konkurrencës për sipërmarrjet e vogla të mesme. "Ato do ta kenë më të vështirë në të ardhmen", thotë Felbermayer por është i sigurt: "Përparësitë megjithatë mbizotërojnë."
Raporti mes Gjermanisë dhe SHBA-së i tendosur
Megjithatë ka ekspertë që nuk ndajnë të njëjtin mendim me Felbermayr dhe i akzojnë shërbimet sekrete perëndimore se përgjojnë në mënyrë sistematike firmat gjermane. Akuzat nuk janë fare pa bazë. Shërbimi sekret britanik GCHQ ka si detyrë pikërisht të kujdeset për "mbarëvajtjen ekonomike". Gjithsesi raportet mes SHBA-së dhe Gjermanisë janë të tendosura, thotë eksperti për politikë nga Regensburgu, Stephan Bierling. "SHBA e ka tepruar shumë sa i takon metodave të përgjimit. Veçanërisht problematik është përgjimi i përfaqësisë së BE-së." Këtë, thotë eksperti, evropianët nuk do ta pranojnë lehtë. Raportet e tendosura mes dy vendeve nuk do t'i bëjnë aspak të lehta negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë. "Por ato nuk do të dështojnë për këtë arsye", vlerëson Bierling. "Ka probleme më të mëdha që mund të bëhen shkak për dështimin e tyre, si mishi i trajtuar me hormone apo kërkesa franceze për të një zonë të mbrojtur për përmbajtje audiovizuale. Mundësitë që këto negociata të dështojnë janë relativisht të mëdha, dhe në këtë kontekst skandali i përgjimeve është vetëm një problem i vogël mes shumë të tjerësh."