Marrëveshja për armatim mes Libisë dhe Francës dhe vendimi i SHBA për të furnizuar me armë Arabinë Saudite
6 Gusht 2007Nga pikëpamja juridike marrëveshja për armatim mes Francës dhe Libisë ndoshta nuk mund të kritikohet. Vendi afrikano-verior ka vendosur të heqë dorë nga armët e shfarosjes në masë dhe BE ka kohë që ka hequr embargon e armëve ndaj tij. Por marrëveshja për livrim armësh megjithatë ngre disa pyetje. A është fjala vallë për një lëshim në këmbim të lirimit të infermiereve bullgare që mbaheshin prej kohësh të burgosura në Libi?
Gazeta zviceriane "Tages Anzeiger" tërheq vëmendjen: "Për vite me rradhë askush nuk interesohej për fatin e infermiereve bullgare që mbaheshin të burgosura. Fatkeqësia e tyre ishte se vinin nga një vend i pafuqishëm dhe ishin gra të parëndësishme. Vetëm pasi u shfaq mundësia që lirimi i tyre të shoqërohej me livrimin e armëve bërthamore negociatat u mbyllën me sukses. Por çfarë do të thotë me 'sukses'? Për firmat franceze është ndoshta lajm i mirë shitja Libisë e centraleve bërthamore franceze dhe e tankeve franceze për mbrojtje antiraketore. Një marrëveshje e tillë është megjithatë thuajse e barabartë me një kapitullim moral të politikës së jashtme europiane."
Gazeta franceze "Le Figaro" përkundrazi mendon se presidenti Sarkozi meriton respekt: "Ai ka bërë punë të mirë. Ajo për të cilën mund të të vijë keq janë tonet e gabuara që shoqëruan lirimin e bullgareve. Koncerni aeronautik europian EADS lidh dy kontrata ushtarake me Libinë. Çfarë ka për të përbuzur në këtë mes? Negociatat për këto marrëveshje kishin nisur përpara ndërhyrjes së presidentit Sarkozi. Veç kësaj një numër vendesh të tjera si Gjermania dhe Italia kanë lidhur marrëdhënie biznesi me Tripolin."
Gazeta "Politiken" nga Danimarka përmbledh: "Tani të gjithë janë të kënaqur. Madje edhe gjermanët kanë mbyllur gojën. Në fund të fundit nga kontratat do të përfitojnë edhe firmat gjermane. Terroristët dhe diktatorët do t'i kenë ndjekur me vëmendje zhvillimet e javëve të fundit. Infermieret u liruan dhe aksionerët e industrisë europiane të armatimit përfitojnë. Dhuna, cinizmi dhe paturpësia në fund të nxjerrin faqebardhë. Moral? Jo, kemi të bëjmë me politikë të madhe".
Ndërsa gazeta italiane La Stampa konstaton: "Gjërat janë siç kanë qenë: nën një paralele të caktuar despotët trajtohen me kujdes të veçantë. E megjitatë kemi 40 vjet që e dimë se sa e rrezikshme është të bësh biznes me Gadafin ".
Një tjetër temë që ka tërhequr vëmendjen e shtypit ndërkombëtar në javën që po lëmë pas, është livrimi i armëve në Arabinë Saudite dhe shtete të tjera të rajonit nga SHBA.
Gazeta austriake "Der Standard" akuzon: "Mesa duket jemi përballë konceptit të ri të SHBA për rajonin: të hidhen armë në çdo vrimë nga e cila mund të përfitosh diçka. Për koncepte të gjera mbi sigurinë në rajon nuk bëhet fjalë. Paketa e armëve të ofruara nga SHBA është një qetësues por ai nuk do të jetë i mjaftueshëm."
Së fundi dhe komenti mbi këtë temë i gazetës izraelite "Haaretz": "Vendimi amerikan për të shitur teknologji armësh tejet moderne dhe të shtrenjtë në Arabinë Saudite dhe vendet e Gjirit Persik në këmbim të një mbështetjeje më të fortë ushtarake për Izraelin është një pohim: presidenti Bush pranon se pas dy mandatesh presidenciale të shkuara dëm po lë pas tokë të djegur. Ai po e përfundon karrierën e tij të dështuar në mënyrën e vetme që njohin SHBA: urdhëro, merrni paratë dhe zgjidhini vetë problemet tuaja!"