Mario Draghi para thyerjes së tabusë
6 Shtator 2012Banka Qendrore Evropiane (ECB) këshillohet sot në Frankfurt mbi Main për kursin e saj të mëtejshëm në krizën e euros. Këshilli i ECB-së do të vendosë në prani të shefit të Eurogrupit Juncker mbi një program të ri rreth blerjes së obligacioneve shtetërore të shteteve të dobësuara të eurozonës, me qëllimin për të ulur normat e interesave për këto vende. Shefi i ECB-së Draghi pati paralajmëruar hapa përkatës muajin e kaluar duke deklaruar se Banka Qendrore Evropiane do të bëjë në kuadër të mandatit të saj gjithçka është e nevojshme për ruajtjen e euros.
Gjermania paralajmëron
Ministri gjerman i Financave Schäuble e paralajmëroi ECB-në prej ndryshimit të kursit në krizën e euros. Ai tha në televizionin ZDF të mërkurën (kanali i dytë televiziv gjerman) se detyra më e rëndësishme e bankës qendrore është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe jo financimi i shtetit.
Schäuble përgënjeshtroi edhe raportet se presidenti i Bankës Federale Jens Weidmann gjendet i vetmuar në këshillin e Bankës Qendrore Evropiane me kritikën e tij ndaj blerjes së obligacioneve shtetërore. "Shefi i Bankës Qendrore Gjermane merr gjithashtu pjesë në mbledhje si president i pavarur. I ri është fakti që rezultatet e votimit publikohen. Kjo më duket problematike për institucionin." - tha ministri.
Shefi i ECB-së Mario Draghi mund të shpallë sot pasdite blerjen e re të obligacioneve të shteteve të eurozonës në krizë. Një hap i tillë mund të sjellë sipas gjykimit të përkrahësve të kësaj mase një shtensionim në krizën e euros. Draghi pati paralajmëruar në korrik se Banka Qendrore është e gatshme të bëjë çka është e domosdoshme për ruajtjen e euros.