Luftë tregtare mes Kinës dhe BE-së?
5 Qershor 2013Megjithë kundërshtimin e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së, Komisioni Evropian vendosi vënien e gjobave doganore për produkte të energjisë diellore nga Kina. Sipas vlerësimit të Komisionit, çmimi i ndershëm i tregut për solarët është 88 për qind më i lartë nga ai, që kërkohet aktualisht. Megjithatë gjobat doganore do të jenë si fillim dukshëm më të ulëta nga sa pritej fillimisht. Sipas të dhënave të Komisionerit të BE-së për tregtinë, Karel de Gucht, për muajt qershor dhe korrik ato do të jenë vetëm 11,8 për qind. Kështu de Gucht synon të lehtësojë një zgjidhje me anë të negociatave mes Kinës dhe BE-së. Nëse nuk do të arrihet marrëveshje, gjoba doganore do të jetë mesatarisht 47 për qind duke filluar nga gushti.
Volumi i importeve të produkteve kineze të energjisë diellore në Evropë vlerësohet rreth 21 miliardë euro në vit. Kështu procedura anti-dumping është më e madhja deri tani në BE. Iniciator i saj ishte Milan Nitzschke, zëdhënës i koncernit Solarworld. Nitzschke bashkoi prodhuesit evropianë të solarëve në iniciativën "Pro-Sun" dhe paraqiti pranë Komisionit të BE-së kërkesën për vendosjen e gjobave doganore kundër produkteve të lira të energjisë diellore nga Kina.
Republika Popullore e Kinës vitet e fundit e ka subvencionuar fuqishëm industrinë e produkteve të energjisë diellore "me rreth 200 miliardë euro", thotë Nitschke në intervistë me DW. Kështu solarët nga Kina "shiten me çmime më të ulëta se kostot e prodhimit". Në të njëjtën kohë industria evropiane e produkteve të energjisë diellore po dobësohet nga një seri falimentimesh dhe mbyllje fabrikash. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu, thotë Nitzschke: "Ne duam një konkurencë të ndershme në botë. Strategjia e Kinës, që synon krijimin e një monopoli, do të ishte shumë e rrezikshme për të ardhmen e energjisë diellore në Evropë dhe Gjermani."
Por gjobat doganore kundër Kinës janë shumë të polemizuara. Ekspertët thonë se ato do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet mes Kinës dhe BE-së. Veç kësaj ata vënë në dukje rrezikun e humbjes masive të vendeve të punës në industrinë e energjisë diellore, si dhe stanjacion në ndryshimin e politikës energjetike.
Me vendosjen e gjobave doganore ndëshkimore solarët do të shtrenjtohen sërish dhe rritja e fuqishme e sektorit të solarëve në Evropë do të dobësohej, kritikon Thorsten Preugschas, zëdhënës i Aleancës për Energji Diellore me çmime të arsyeshme (AFASE): "Gjobat doganore mbi produktet kineze të energjisë diellore janë të gabuara dhe mund të rrezikonin humbjen e më shumë se 200.000 vendeve të punës."
Më shumë energji diellore për industrinë dhe mbrojtjen e klimës
Philippe Welter, botues i revistës për energjinë diellore Photon, i konsideron gjithashtu të gabuara taksat për produktet kineze. Vërtet prodhuesit kinezë përfitojnë nga subvencionet shtetërore dhe lehtësirat fiskale, thotë Werter, por ai vë në dukje edhe përparësitë e kinezëve në industrinë e solarëve si p.sh. kapacitetet më moderne të prodhimit. "Prodhuesit kinezë kanë ngritur shumë më shpejt kapacitete më të mëdha" dhe kështu mund të prodhojnë në fabrika moderne me kosto më të ulëta.
Politikë aktive në vend të gjobave doganore
Kundër gjobave doganore janë edhe shoqatat e mëdha në mbrojtje të ambientit. Stephan Singer, ekspert për energjinë nga WWF (World Wide Fund For Nature) në Bruksel, shprehet i indinjuar me vendimin e Komisionit të BE-së. Në vend të gjobave doganore dhe zënkës tregtare ai kërkon bisedime miqësore mes BE-së dhe Kinës, në mënyrë që "panelet diellore të mund të shiten edhe më tej me çmime të arsyeshme në Evropë, energjia diellore të jetë sa më e lirë për konsumatorët, që në periudhë afatgjatë të përfitojë e gjithë industria e energjisë diellore dhe të krijohen sa më shumë vende pune." Për Singer strategjia e duhur është tregtia e lirë dhe heqja e barrierave tregtare për energjitë e ripërtëritshme dhe teknologjitë për mbrojtjen e ambientit.
Kritikët kërkojnë ndërhyrjen e politikës për të krijuar kushtet, që në sektorin e energjisë diellore në Evropë të kryhen më shumë investime për kërkim dhe zhvillim. Sipas tyre produktet evropiane nuk duhet të konkurrojnë me çmimin, por me cilësinë.
Ndërkaq Kina ka njoftuar se do të nisë hetime për çmimet e verërave evropiane nën dyshimin për dumping. Vëzhguesit thonë, se nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje, mes Kinës dhe BE-së kërcënon të fillojë një luftë tregtare.