Lufta kundër terrorizmit dhe pikëpyetja ndaj hetimeve on-line
7 Shtator 2007Në shtypin e sotëm gjerman komentohet mbledhja e ministrave të brendshëm të landeve dhe federatës. Ministrat ranë dakord të ndryshohet legjislacioni për ndjekjen penale të atyre që përgatisin akte terroriste, apo marrin pjesë në kampe stërvitjeje të terroristëve. Por ato e hodhën poshtë propozimin e ministrit Shojble për hetimet e fshehta on-line.
Në të përditshmen e Ulmit "Südwest Presse" komentohet: "Kushdo që jeton në Gjermani dhe jashtë vendit viziton kampet e terroristëve duhet të ndiqet penalisht. Ky pikësynim i konferencës së ministravetë brendshëm duket logjik dhe në sfondin e goditjes ndaj grupit të islamistëve ai nuk do të hasë në rezistencën e asnjë partie. Por krejt ndryshe qëndron puna në atë, se sa do t´i ndihmojë në fakt ndryshimi i ligjit mbrojtjes nga terrorizmi. Kampet e stërvitjes së islamistëve ndodhen në rajone të thella që janë të vështira të arrihen e ku rrallëherë mund t´u bjerë rruga përfaqësuesve të rendit dhe drejtësisë. (...) Po aq e vështirë
është edhe për hetuesit gjermanë, që të mbledhin prova të besueshme dhe të vlefshme për drejtësinë lidhur me aktivitetin nëpër këto kampe.", shkruan "Südwest Presse".
Gazeta e Halles "Mitteldeutsche Zeitung" duke komentuar propozimin e ministrit të brendshëm Volfgang Shojble nxjerr në pah rivalitete mes dy partive në koaliconin e madh qeverisës: "Ministri i brendshëm kristiandemokrat, Shojble me shumë presion u përpoq t´u ndryshojë mendjen socialdemokratëve, për një gjë që ata nuk e duan. Të paktën ata nuk e duan një masë të tillë me çdo kusht dhe jo menjëherë. Jo pa kundërthënie dhe disi i turbullt është edhe qëndrimi i socialdemokratëve. Por në një pikë të gjithë përfaqësuesit socialdemokratë janë unikë: ata nuk ia urojnë suksesin ministrit Shojble.", nënvizon "Mitteldeutsche Zeitung".
Gazeta "Mittelbayerische Zeitung" që del në Regensburg shkruan: "Frika e Perëndimit ka efektin që terroristët të ndjekin rrugë të reja. Ata infiltrojnë në vende, në të cilat planifikojnë sulme dhe mbeten atje thuajse të padukshëm. Dy prej të arrestuarve këtë javë në Gjermani janë gjermanë. Terrorizmi ndërkombëtar është shndërruar në një sipërmarrje konçesionare, që ofron përvojë. Kjo e bën atë të pakalkulueshëm. Problemi është, se si duhet vepruar me frikën. Një gjë duhet ta kemi të qartë: ne do të na duhet të jetojmë me këtë problem. Por ai nuk duhet të ngatërrohet me panikun dhe as të instrumentalizohet. Ata që konvertohen nga njëra fe në tjetrën nuk janë patjetër ekstremistë, të huajt nuk janë patjetër të rrezikshëm dhe jo kushdo që është ndryshe përbën kërcënim. Cilido që e harron këtë, hap edhe në Gjermani portën e Guantanamos.", tërheq vëmendjen "Mittelbayerische Zeitung".
Në "Landeszeitung" të Lyneburgut lexojmë: "Shumë juristë mendojnë, se ndërhyrja në ambjentet private të banimit e tejkalon masën, madje kjo ka bërë që të japë dorëhqejen edhe ministrja e drejtëssië. Një gjë e tillë ndodhi në vitin 1996. Asokohe diksutohej për përgjimet ndaj të dyshuarve, që ministrja e drejtësisë Lojthojser Shanrrenberger (Leutheusser schnarrenberger) nuk desh ta pranonte. Ndërsa sot partitë në pushtet janë në unanimitet sa i përket planeve për kontrollet on-line, vetëm se çështja qëndron jo nëse kjo duhet bërë, por në mënyrën se si duhet bërë. Edhe këtë ndërhyrje të re në sferën private e kërcënon i njëjti fat si edhe rastin e përgjimeve për të përfunduar në bankën e gjykatës kushtetuese në Karlsruhe. Megjithatë një gjë duhet të jetë e qartë për këdo, terroristët nuk janë kaq naivë sa të regjistrojnë në kompjuterat e tyre pikëtakimet konspirative, apo planet e tyre për sulme. Në fund mbetet vetëm shpresa e vakët për kthimin tek arësyeja, në mënyrë që frika prej terrorit të mos çojë në heqjen dorë prej parimeve, që karakterizojnë demokracinë tonë.", komenton "Landeszeitung".