Lista Srpska: Ankesë pas moscertifikimit në zgjedhjet lokale
22 Gusht 2025Përfaqësues të Listës Srpska që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës e kanë quajtur të "paligjshëm dhe diskriminues” vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ për moscertifikimin e saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ata akuzuan drejtpërdrejt kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti për këtë. Lista Srpska dorëzon të premten (22.08.) ankimin në Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
"Ky reagim i Albin Kurtit është, para së gjithash, për të fituar pikë të lira politike. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore që janë të nevojshme, me qëllim që para së gjithash të sigurojmë certifikimin e të gjithë kandidatëve, si për kryetarë komunash, ashtu edhe për asamblistë”, tha Zllatan Ellek, kryetar i listës Srpska në një konferencë për media. Sipas tij, "sa i përket përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë, në njërën anë është partia e tij, ndërkaq në anën tjetër, siç thotë, janë disa parti kuazi-serbe që i mban Albin Kurti, i cili dëshiron ta ndajë trupin politik serb”.
Politikani tjetër i Listës Srpska, Igor Simiq, ndërkaq, tha se "bashkë me ankesën do t'i bashkëngjisim të gjitha dëshmitë që flasin në favor të faktit se kandidatët e Listës Serbe për kryetarë komunash dhe asamblistë i kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për t'u vendosur në fletëvotimet në të cilat qytetarët do të votojnë në tetor të këtij viti”. Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP-i) e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke ia mundësuar Listës Srpska pjesëmarrjen në zgjedhje.
Serbia e quan përjashtim të popullit serb nga jeta demokratike
I ashpër në reagimin e tij ishte ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i cili vendimin e KQZ-së për moscertifikim të Listës Srpska, e cilësoi si "një shembull flagrant të inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”. "Duke refuzuar kandidaturat e dorëzuara në mënyrë të rregullt, të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore, autoritetet në Prishtinë edhe një herë kanë shkelur sundimin e ligjit dhe kanë zbuluar synimin e tyre të vërtetë, të heshtin zërin legjitim të serbëve”, shkroi Gjuriq.
Një ditë më parë, në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Srpska për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan. Dy anëtarët e Vetëvendosjes që votuan kundër certifikimit të Listës Srpska, argumentuan se ka eksponentë të kësaj partie që janë pjesë edhe e strukturave paralele serbe, dhe kjo është kundërligjore.
Prattipati: SHBA e shqetësuar
Para refuzimit të KQZ-së që ta certifikojë Listën Srpska për zgjedhjet lokale, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e SHBA-së nga, siç tha, "çdo përpjekje për t'ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit”. "Ne kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë t'i përjashtojnë disa nga partitë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale”, tha Prattipati, duke shtuar se "që të jemi të qartë, ne besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë t'i zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur”.
Lista Srpska vendosi të garojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke u mundësuar kështu që në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të zgjidhen kryetarët shqiptarë.