Lindje anonim, apo dorëzimi i foshnjës në anonimitet?
28 Mars 2013Një fëmijë i padëshiruar, i lindur fshehurazi nga një nënë, së cilës një fëmijë në situatën e saj i duket katastrofë. Këto nënat në nevojë mund këtej e tutje mund t'i çojnë të sapolindurit e tyre, pa qenë të detyruara të identifikohen në befortofe, ose qendra të posaçme. Në këto qendra ato mund t'i dorëzojnë foshnjat përmes një sporteli të krijuar enkas për dorëzimin e foshnjeve. Sporteli i foshnjeve mund të jetë rrugëdalja e fundit për këto nëna. Kjo pengon që foshnjat të braktisen, apo edhe të vriten. Rreth 100 sportele të tilla ka në të gjithë Gjermaninë dhe vlerësohet se që nga viti 2000 qindra foshnje janë dorëzuar në mënyrë anonime.
Në Gjermani ka rreth 100 sportele për dorëzimin e foshnjeve
Një rrugë e thjeshtë në veri të Këlnit. Këtu ndodhet shërbimi social i grave katolike, shtëpia Adelheid, një institucion, i cili 24 orë rresht është në shërbim të nënës dhe fëmijës. Në njërën anë të ndërtesës një rrugë e mbrojtur me mure prej çeliku të çon në dritaren e sportelit, ku mund të dorëzohen foshnjet. "Këtu gratë, nënat, mund ta vendosin fëmijën në dritare. Ato mund të hapin deriçkën dhe mua më vjen menjëherë njoftimi në celular."
Brenda 12 vjetëve të fundit në befotrofin e Këlnit janë dorëzuar 19 fëmijë. Disa nga nënat kanë ardhur përsëri më vonë, por shumica e fëmijëve nuk e marrin vesh kurrë, se cilët janë prindërit e tyre. Kjo lë një zbrazëtirë në jetën e tyre, thotë Monika Kleine, drejtore e Shërbimit Social të Grave Katolike në Këln. Prandaj është e rëndësishme, që të ndiqen fëmijët dhe familjet, ku ato rriten, dhe t'u jepet për shembull mundësia për të vizituar dritaren e sportelit, ku ata janë braktisur dhe të sjellin ndër mend vendin, ku nis zanafilla e tyre. "Fëmijët e parë kanë qenë atje dhe ato janë momente shumë prekëse. Ka fëmijë, që duan vetëm ta shohin, ka fëmijë, që futen dhe shtrihen aty. Ky është një moment i rëndësishëm për fëmijën, që të ketë një ide, që të mund ta përfytyrojë fillimin e vet."
Këshilli gjerman i Etikës e kritikon dorëzimin anonim të foshnjeve
Pamundësia për të kuptuar fillimin tënd, mund të jetë një barrë e madhe psikologjike. Gjykata kushtetuese gjermane ka bërë të qartë që prej vitit 1989, se çdo njëri ka të drejtë ta dijë prejardhjen e vet. Para tre vjetësh Këshilli gjerman i Etikës e kritikoi praktikën e dorëzimit anonim të foshnjeve dhe kërkoi një zgjidhje ligjore për gratë shtatzëna në nevojë.
Si befotrofi ashtu edhe lindja anonime, që mundësohet në 130 spitale në Gjermani, nuk janë të rregulluara me ligj. Të dyja ofertat vetëm tolerohen ligjërisht. "Nëse sheh ofertat, atëherë dritarja për dorëzimin e foshnjës është oferta më e keqe, që mund t'i bësh nënës dhe fëmijës", thotë Monika Bradna e Institutit Rinor gjerman në Mynih. Ajo ka qenë konsulente e një studimi të gjerë për dërëzimin anonim të foshjeve, me rezultatin: Nuk ka standarde unike për befotrofet në Gjermani, se kur një fëmijë i gjetur duhet regjistruar nga autoritetet. Shpesh qendrat e dorëzimit të fëmijëve nuk e dinë më sot se çfarë është bërë me fëmijët.
Ministrja gjermane e Familjes, kristiandemokratja Kristina Schröder nuk do t'i ndalojë pikat për dorëzimin e fëmijëve, por do që ato të mos jenë më të panevojshme. Me anë të një ligji për të ashtuquajturën lindje konfidenciale, që do të diskutohet nga kabineti në prag të Pashkëve. Në bazë të ligjit gratë mund ta lindin fëmijën në mënyrë anonime në spital. Të dhënat e tyre personale ruhen 16 vjet me rradhë në një zarf të mbyllur në një autoritet qendror. Atëherë fëmija do të ketë mundësinë, të mësojë emrin e nënës. "Jam e mendimit se lindja konfidenciale ka shumë avantazhe për të gjithë të përfshirët në këtë çështje. Që nga kujdesi mjekësor deri tek rregullat e qarta procedurale, pra çfarë ndodh me fëmijën, kur ai lind në mënyrë anonime."
Ligji si joshje për gratë nga Evropa Lindore?
Por ka kritika që grave t'u jepet e drejta për të kundërshtuar. Fëmijët e mësojnë emrin e nënës vetëm atëherë, kur ajo është dakord. Nga perspektiva e fëmijëve kjo është zgjidhje e pakënaqshme, kritikon Monika Kleine, nga Shërbimi Social i Grave Katolike. Kështu siguri ligjore ka vetëm për gratë, por jo për fëmijët. "Ne jemi pak të merakosur, se ma anë të lindjes konfidenciale hapet në fakt dera për lindjen anonime. Ne shpesh kemi pasur raste, që gratë nga Evropa Lindore vijnë dhe i lindin këtu fëmijët dhe pastaj zhduken përsëri, apo i japin fëmijët për adoptim. Dhe ne druhemi se kjo do të shërbejë si ftesë, për ta shfrytëzuar këtë ligj, për ta lindur fëmijën në kushte të mira mjekësore. Ne kemi turizëm nevojtarësh nga Evropa Lindore. Kjo duhet pasur mirë parasysh."
Megjithatë është pozitive, që ligji i propozuar parashikon edhe që të verifikohet dobia e qendrës së dorëzimit të foshnjeve dhe të përcaktohen standarde të qarta për funksionimin e tyre. Sepse deri tani nuk ka statistika zyrtare në këtë fushë. Eshtë fare e paqartë, nëse që nga hapja e pikave për dorëzimin e foshnjeve në Gjermani braktisen, apo vriten më pak foshnja. E mundshme është edhe që mundësia për dorëzimin anonim të foshjneve të nxisë rritjen e kërkesave. Ka të ngjarë që nënave, të cilat përndryshe do t'i mbanin fëmijët e tyre, apo do t'i jepnin për adoptim, nga krijimi i këtyre qendrave u bie ndërmend, që t'i dorëzojnë atje të sapolindurit e tyre.