Protestë kundër luftës në televizionin rus
15 Mars 2022Ajo u bë një yll mediatik në pak minuta: Marina Ovsjannikova, 42 vjeç, redaktore në kanalin televiziv publik rus "First Channel". Të hënën në mbrëmje, ajo shpërtheu lajmet e edicionit qendror kur qëndroi para kamerës, pas prezantueses së njohur ruse Ekaterina Andreeva dhe mbajti një poster të shkruar me dorë që lexonte në anglisht dhe rusisht: "Jo luftë. Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës. Këtu ju mashtrojnë. Rusët kundër luftës”.
Ndërhyrja e një gazetareje deri tani pak të njohur zgjati disa sekonda dhe shkaktoi një tërmet mediatik, sidomos në Perëndim. Klipet e emisionit janë parë qindra mijëra herë brenda disa orësh në kanale të ndryshme në YouTube.
Për këtë temë janë nisur edhe programe informative. Sfondi: ishte hera e parë - jo vetëm që nga sulmi i hapur i Rusisë ndaj Ukrainës, por edhe në dekada - që një protestë kundër Kremlinit u bë e dukshme në këtë mënyrë në mediat ruse të kontrolluara rreptësisht nga shteti. Shumë menduan se kjo ishte e pamundur deri atëherë.
Kush është Marina Ovsjannikova?
E lindur në vitin 1978, me sa duket në qytetin port jugor të Ukrainës, Odessa, Ovazjannikova postoi edhe një video mesazh, në të cilin fliste për babanë e saj ukrainas, shprehte turp për përhapjen e propagandës dhe bënte thirrje për protesta. "Tani më vjen turp”, thotë ajo në video.
Ajo mban rreth qafës një varëse blu dhe të verdhë në ngjyrat e flamurit të Ukrainës. Sipas mediave ruse, Ovsjannikova ka studiuar gazetari në Krasnodar, në Rusinë jugore, ajo është nënë e dy fëmijëve dhe ish-bashkëshorti i saj punon për kanalin televiziv rus të botës së jashtme, Russia Today (RT).
Për vendndodhjen aktuale të Oviannikovas aktualisht nuk ka informacione të sakta. Mësohet se atë e kanë arrestuar mbrëmjen e së hënës. Agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi të martën për një hetim fillestar kundër Ovsjannikova për "përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me ndërhyrjen e forcave të armatosura ruse".
Për këtë vepër, kodi penal rus parashikon një gjobë ose, në rastin më të rëndë, vite të gjata burg. Fjala "luftë" në lidhje me pushtimin e Ukrainës është e ndaluar në mediat ruse. Gazeta e famshme "Novaya Gazeta”, shumë kritike ndaj Kremlinit, ka publikuar një foto të Ovsjannikovas në studio dhe ka fshirë mesazhin e saj kundër luftës.
Duartrokitje nga opozita ruse
Te kundërshtarët rusë, shumica e të cilëve tani jetojnë në mërgim, akti i Ovsjannikova shkaktoi britma gëzimi. "Propagandistët denoncojnë Putinin”, shkroi në Twitter Kira Jarmysch, zëdhënëse e liderit të burgosur të opozitës Alexei Navalny.
"Veprimi i një gruaje duhet të bëhet një fillim, një shembull për të gjithë ne”, shkroi në Facebook ish-deputeti i Dumës së Shtetit, Dmitry Gudkov. Gazetari i kanalit televiziv rus tashmë të ndaluar "Doshd" (Rain), Timofej Dziadko, e krahasoi Ovsjannikova me shtatë protestuesit që demonstruan në Sheshin e Kuq në vitin 1968 kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë.
Reagime të përziera në Ukrainë
Në Ukrainë, reagimet ndaj aktit të Ovsjannikovas janë të përziera. Presidenti Volodymyr Selenskyj e falënderoi gazetaren ruse në kanalin e tij Telegram.
"Falënderoj ata rusë që vazhdojnë të përpiqen të përhapin të vërtetën, veçanërisht të renë që hyri në studion e Kanalit të Parë me një poster kundër luftës”.
Megjithatë, në rrjetet sociale ka shumë skeptikë për ndershmërinë e ruses. "Si është e mundur të inkurajosh luftën vite me radhë dhe të zgjohesh papritur?" pyet në Facebook organizata joqeveritare ukrainase "Instituti i Mediave Massive" (IMI).
"Ajo që pashë nuk përputhet me atë që u tha. Personi flet për prindërit e saj dhe ndjenjat e turpit, sikur të fliste për lajme - pa emocione!!!" shkroi një përdoruese që shprehu skepticizmin e saj.
Një këndvështrim i përhapur: mund të mos ketë qenë një transmetim i drejtpërdrejtë, ngjarja është një përpjekje e shërbimit të brendshëm të inteligjencës ruse (FSB) për të shkëputur vëmendjen e botës nga krimet e luftës të kryera nga ushtria ruse në Ukrainë. Kjo tezë është e vështirë të verifikohet. Megjithatë, ky shembull tregon se sa i madh është bërë mosbesimi ndaj Rusisë në Ukrainë.