Këshilli i Ministrave të Kulturës të vendeve të Ballkanit zhvilloi takimin e vitit në Tiranë
10 Shkurt 2006Tirana ishte ditën e enjte kryeqyteti i programimit të aktiviteteve kulturore të rajonit të Europes Juglindore. Ministrat apo zyrtarë të lartë të kulturës nga 9 vendet Ballkanike arritën të merren vesh në hartimin e një plan-veprimi për aktivitetet që ato do të zhvillojnë gjatë këtij viti.
Synimi ishte intensifikimi i bashkëpunimit dy e më shumë palëshe, në forcimin e urave të komunikimit kulturor, duke respektuar identitetin dhe diversitetin e kulturave të rajonit. Projektet që u miratuan ishin për realizimin e veprimtarive në muzikë, botime, trashegiminë kulturore, kinematografi, për rinine, muzeumet, etnografinë etj.
Koordinatori i takimit të parë të Ministrave të Kulturës të vendeve të Europës Juglindore, Dr. Mark Marku, thotë se edhe më parë ka patur një axhendë të aktiviteteve rajonale, por këto janë organizuar me ndërmjetësinë ose koordinimin e institucioneve europiane ose nga vende të tjera.
Pas diskutimit të çdo projekti kulturor që u prezantua nga pjesëmarresit, Shqipëria arriti të fitonte të drejtën e dy veprimtarive rajonale, hapjen e një ekspozite të artit bashkëkohor në Tiranë, si dhe organizimin e Festivalit ndërkombëtar të Koreve.
Bullgarët arritën të bindin homologët e tyre për një projekt të krijimit të CD-ve dhe broshurave të monumenteve kulturore që ndodhen në territorin e Ballkanit, të cilat përfshihen dhe në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Sipas ministrit bullgar të kulturës, Stefan Danailov, projekti synon t'i tregojë botës, se Ballkani është hapësira e qytetërimit antik dhe kurrë nuk shteron së qenuri burim i diversitetit kulturor.
Projekte të tjera që u miratuan ishin dhe krijimi i një fondi rajonal për mbështetjen e prodhimeve kinomatografike e shpërndarjen e tyre, paraqitur nga delegacioni i Serbisë, organizimi i kampingjeve të altenuara me të rinjtë ballkanike, propozuar nga maqedonasit, hapja e një eskpozitë etnografike "Te jetojme së bashku në harmoni në Ballkan", propozuar nga turqit, ngritja e observatorit rajonal për diversitetin kulturor, të cilin e ofruan rumunët, etj.
Këshilli i Ministrave të Kultures të vendeve të Europës Juglindore u hodh si ide për herë të parë nga ish ministri i kultures së Shqipërisë Blendi Klosi, në një takim të ministrave të rajonit që u mbajt në Mostar në qershor të vitit 2004.