"Kush jeton në det?" - Biodiversiteti i Mesdheut më i rrezikuar në botë
3 Gusht 2010Biodiversiteti i llojeve në Mesdhe, sipas shkencëtarëve është më i rrezikuar se në çdo det tjetër të botës. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin, se "aktiviteti i njeriut" në Mesdhe ka ndikuar më shumë se kudo tjetër tek llojet, thuhet në një raport të publikuar të hënën (02.08) në "Public Library of Science" ("PLoS ONE"), për të cilin kanë bashkëpunuar gjatë dhjetë viteve të fundit 360 shkencëtarë nga e gjithë bota. Përmes pozicionit të tij Mesdheu është praktikisht i mbyllur: flora dhe fauna gjithashtu janë në rrezik edhe për shkak të ngushtimit të hapësirës së jetesës, peshkimit përtej normave dhe ndotjes.
"Numërimi i popullsisë së detrave"
Në raportin "kush jeton në det?" studiuesit konstatojnë ndër të tjera edhe se në asnjë det tjetër të botës nuk jetojnë kaq shumë lloje të huaja sa në Mesdhe. Mbi gjashtëqind lloje, rreth katër përqind e të gjitha llojeve të njohura në Mesdhe, kanë ardhur nga detrat e tjerë, kryesisht përmes ujërave të kanalit të Suezit.
"Ne kemi bërë zbulime, kemi njohur gjëra të reja", i thotë themeluesi i "numërimit të popullsisë së detrave", Jesse Ausubel, agjencisë franceze të lajmeve AFP. Ndër të tjera shkencëtarët e kanë të qartë, se në detrat e Japonisë dhe të Australisë shumica e llojeve nuk janë studiuar fare - rreth 70 përqind deri në 80 përqind e bimëve dhe kafshëve në këto detra janë deri më sot të panjohura.
Bota nënujore nuk dominohet nga peshqit
Studiuesit konstatojnë gjithashtu, se peshqit përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të llojeve në det, konkretisht rreth dymbëdhjetë përqind. Një kuotë shumë më të madhe, sipas tyre, përbëjnë krustacet me 19 përqind dhe molusqet - kërmillat dhe gjarpërinjtë e ujit me 17 përqind. Në vjeshtë të vitit të ardhshëm shkencëtarët duan të prezantojnë raporti përfundimtar mbi rreth 230.000 llojet në det.
Autor: AFP/ Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Aida Cama