Kurrë më heshtje: Christopher Street Day në Berlin
29 Korrik 2025Disa mijëra njerëz morën pjesë në Paradën Christopher Street Day në Berlin. Me rreth 80 kamionë dhe më shumë se 100 grupe, parada kaloi nga sheshi Leipziger Platz përmes sheshit Potsdamer Platz deri në Portën e Brandenburgut. Në fjalën e tij hapëse, Marcel Voges, bashkëkryetar i Shoqatës Berlin Pride, tha se komuniteti queer dëshiron të "mbrojë me të gjitha forcat vendin në shoqëri për të cilin kemi luftuar prej shumë vitesh”.
Kërkesat e komunitetit queer
Manifestimi në Berlin përqendrohet në tri kërkesa kryesore politike: ruajtjen e strukturave të komunitetit dhe atyre këshilluese, përfshirjen e personave queer në ligjin themelor gjerman dhe një luftë efektive kundër krimeve të urrejtjes.
Policia ishte e pranishme në numër të madh për shkak të kundër-demonstratave. Sipas policisë më pak se 100 vetë nga spektri ekstremist i djathtë u mblodhën për një kundër-demonstratë në Schöneberger Ufer; 400 pjesëmarrës ishin regjistruar paraprakisht.
Në mëngjes pati edhe një përkujtim në heshtje në memorialin për homoseksualët e persekutuar në periudhën e nacionalsocializmit, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner (CDU).
Christopher Street Day zhvillohet çdo vit në shumë qytete anembanë botës dhe përkujton ngjarjet e 28 qershorit 1969 në Nju Jork, ku policia sulmoi barin Stonewall Inn në Rrugën Christopher, duke shkaktuar protesta disa ditore nga personat gej, lezbike dhe transgjinorë.