"Të kopjosh" nga qytetet evropiane
14 Shtator 2012DW: A mendoni se Bota e Vjetër mund t´i mësojë Botës së Re disa gjëra rreth qyteteve të jetueshme?
Jim Brainard: Sigurisht që Evropa ka një histori shumë më të gjatë se sa Shtetet e Bashkuara në projektimin e qyteteve. Në qytetin tim, ne kemi rreth-rrotullime më shumë se në çdo qytet tjetër të Shteteve të Bashkuara. Në rrugët tona të mëdha ne kemi 17 rreth-rrotullime, në rrugët më të vogla mbi 80, dhe të gjitha këto për rreth 80 mijë njerëz. Dhe si rezultat i kësaj, kemi ulur numrin e aksidenteve me afro 80%.
DW:Padyshim që ju keni udhëtuar thuajse në të gjithë Evropën. Cilat nga këto qytete të saj ngjallin interes tek ju?
Jim Brainard: Mendoj se çdo vend ka diçka për të ofruar. Kam qenë me fat që kam kaluar ca kohë gjatë studimeve të mia universitare në Angli, ku pashë rreth-rrotullimin tim të parë, në vitin 1981. Menjëherë pas saj kam qenë në Francë, Itali, Austri dhe Gjermani. Në Majorka të Spanjës pashë një konfiguracion të ndërmjetëm rreth-rrotullimi, që e kopjuam dhe më pas modifikuam. Por thelbi është se Evropa, sigurisht, ka shumë më tepër histori seç kemi ne për projektimin e rrugëve të këmbësorëve. Ne shpresojmë të marrim më të mirën e të dy botëve. Për shembull, vendosja e automjeteve nëntokë është një zhvillim i ri. Dhe projektimi i standardeve shumë tradicionale, me rrugë të ngushta, kafene të bukura në trotuare, të përqendruara në rrugë. Në disa raste ne nuk ishim në gjendje që të fokusoheshim tek detajet apo arkitektura e mirë, sepse gjithçka ishte e shpërndarë dhe njerëzit ishin të kyçur në automjetet e tyre. Mesatarisht amerikanët udhëtojnë rreth 100 milje në ditë, ose dy orë. Ne po përpiqemi të ndryshojmë këtë në komunitetin tonë dhe të mundësojmë që njerëzit të ecin drejt destinacioneve ku duan të shkojnë, ose drejt vendeve që ata zgjedhin, për të bërë thjesht një shëtitje.
DW: Carmel është trefishuar në përmasa përgjatë 12 viteve të fundit. Mendoni se kjo është një dëshmi se shumë amerikanë duan të jetojnë në një qytet që ka më tepër "aromë" evropiane?
Jim Brainard: Absolutisht! Amerikanët të cilët mund t´a përballojnë ekonomisht, udhëtojnë çdo vit në Evropë për pushime. Dhe ne e shijojmë të ulemi në sheshet e vjetra 300-vjeçare, sheshet e qytetit dhe kafenetë në trotuare. Ne ngremë gjithmonë pyetjen: përse nuk kemi ndërtuar qytete të tilla? Evropa ka bërë një punë të mrekullueshme pas Luftës së Dytë Botërore në rindërtimin dhe restaurimin e qyteteve të vjetra. Dhe mendoj se shumë amerikanë i admirojnë qytetet evropiane. Kur flas me njerëzit, shumë shpesh dëgjoj gjëra si "Kjo është si të jesh në Evropë." Ne kemi shumë për të mësuar nga Evropa, dhe kjo ka kuptim për të ndërtuar qytetet tona me parimet e projektimet në mendje, të cilat janë përdorur prej shekujsh. Gjithmona sfida është: si do t´i parkojmë makinat? Si do t´i fusim automjetet nëntokë ose në struktura parkimi që nuk janë të dukshme? E gjitha kjo kthehet prapa në epokën industriale kur fabrikat tona kishin tym, tymra helmues dhe nuk ishin të shëndetshme. Dhe kështu që në vitet 1800 ne veçuam zonat e banimit nga zonat e fabrikave. Sot, shumica e industrisë përpunuese është e pastër, por distriktet e banimit kanë një distancë të madhe dhe hapësirat e blerjeve dhe zonat e qendrës së qytetit janë të ndara. Jemi të gjithë te veçuar dhe shumë larg nga njëri-tjetri. Kështu që po kthehemi drejt zonave të përziera, ku njerëzit të mund të jetojnë dhe punojnë dhe ta shijojnë rikrijimtarinë në të njëjtën zonë. Siç ka bërë prej shekujsh Evropa. Njerëzve u pëlqen vërtet që të jenë në gjendje të dalin nga shtëpitë e tyre, të ecin dhe të mos u duhet të ngasin makinën për të shkruar në një kafene apo për të ngrënë darkë ose për të dëgjuar muzikë. Ose të kenë mundësi të ecin drejt një parku publik, se sa të qëndrojnë në oborrin e shtëpisë që ka një madhësi prej një akër e gjysmë.
DW: Por a keni përjetuar ndonjë kundërshtim për disa gjëra që keni prezantuar përgjatë këtyre viteve?
Jim Brainard: Po, ka pasur gjithmonë një kategori kundërshtuesish. Por mendoj se ka pasur një referendum rreth këtyre ideve dhe unë kam fituar në pesë prej tyre deri tani. Kështuqë mendoj se shumica e njerëzve e pëlqejnë ndryshimin.
DW: Cilat janë planet e reja në axhendën e qytetit Carmel?
Jim Brainard: Ne po vazhdojmë të ndërtojmë qendrën e qytetit, për të lidhur zonën e vjetër të tij me qendrën e projektuar sipas planit tonë të ri, i përzier me stilin evropian të qendrës së qytetit. Ne po shikojmë mundësinë e zhvillimeve edhe në skajet e qytetit. Po sigurohemi që çdo lagje e re të lidhet me një rrugë këmbësorësh ose rrugë biçikletash, që të çon drejt zonave të qendrës së qytetit. Ne kemi ende shumë hapësira të pashfrytëzuara brenda kufinjve të qytetit, kështu që po mendojmë të zhvillojmë këtë pjesë toke shumë ndryshe nga ç'është vepruar në 50 apo 60 vitet e fundit.