Kritika ndaj studimit të OKB-së për Fukushimën
4 Prill 2014Sipas vlerësimit të Komitetit të Kombeve të Bashkuara mbi Pasojat e Rrezatimit (UNSCEAR), rreziku nga kanceri nuk është rritur për popullsinë në Japoni. Megjithatë, rrezatimi paraqet rrezik për një grup prej rreth 1000 fëmijëve. Kështu arrihet në përfundim në raportin përfundimtar të cilin ekspertët e UNSCEAR e prezantuan të mërkurën (02.04.2014) në Gjenevë.
Vendimtar për pasojat e buta të fatkeqësisë sipas të dhënave të OKB-së, ka qenë evakuimi i shpejtë i zonës përreth centralit të energjisë bërthamore të dëmtuar në mars të vitit 2011. "Pa këto masë, pasojat për popullsinë do të kishin qenë dhjetë herë më të larta", tha kryetari i Komitetit të OKB-së, Volfgang ëeiss, në Vjenë.
Ndryshe nga Kombet e Bashkuara, eksperti bërthamor i Shoqatës 'Greenpeace', Heinz Smital nuk sheh arsye për t'i dhënë fund alarmit dhe flet për fshehje të realitetit. "Studimi i paraqet rreziqet e vogla", thotë ambientalisti Smital në një intervistë me Deutsche Welle-n.
Kështu, evakuimet janë bërë pjesërisht vonë. "Ka pasur lirime të mëdha në nivelin e shtatë të shkallës INES para se të jetë kryer evakuimi në zonën prej 20 kilometrash. Kjo është injoruar plotësisht në raport", thekson Smital. Përveç kësaj, edhe zona jashtë rrezes prej 20 kilometrave ka qenë mjaft e ndotur. Këto zona janë evakuuar vetëm një muaj më vonë. "Kjo kohë është aq e gjatë sa ka mjaftuar që njerëzit të kenë marrë dozën e plotë të jodit radioaktiv 131."
Krahasuar me Çernobilin më pak mbrojtje shëndetësore?
Ekspertët e OKB-së theksojnë në raportin e tyre se doza e rrezatimit në Japoni ka qenë një copëz në krahasim me fatkeqësinë bërthamore të Çernobilit në vitin 1986.
Smital nga ana tjetër flet për minimizm të rrezikut në raport me populinë në Japoni dhe vlerëson mënyrën se si ka vepruar në vitin 1986 politika ruse. "Duhet të thuhet qartë se qeveria ruse i është përmbajtur shumë më rreptë rregullave dhe udhëzimeve ndërkombëtare."
Kështu, norma ndërkombëtare për një ekspozim të rrezatimit vjetor të popullsisë së përgjithshme është një millisievert - MSV (Sievert është njësia e dozës së rrezatimit). Autoritetet ruse kanë kryer një risistemim vullnetar në rajonet me një shkallë rrezatimi prej një deri në pesë millisivert. Në vlera më të larta, evakuimi ishte i detyrueshëm dhe rajonet me mbi dymbëdhjetë millisievert janë shpallur zona të ndaluara.
Për dallim në Japoni, duke përfshirë edhe gratë shtatzëna dhe familjet me fëmijë, njerëzit jetojnë në zona me një dozë rrezatimi deri në 20 MSV. Smital shpreh indinjatën e tij: "E gjithë kjo tani legjitimohet në raportin e OKB-së që thotë se nuk ka pasoja shëndetësore."
Organizata mjekësore ndërkombëtare për Parandalimin e Luftës Bërthamore (IPPNë) e sheh po ashtu me sy kritikë studimin e OKB-së. "Si atëherë, pas Çernobilit, rreziqet për njerëzit që jetojnë në zonat e kontaminuara janë fshehur, minimizuar apo heshtur", thotë pediatri Dr. Alexander Rosen, gjithashtu anëtar i IPPNë-së. IPPNë vlerëson se në Japoni do të ketë dhjetëra mijëra të tjerë të sëmurë nga kanceri.