Krijohet Rrjeti i Autizmit për Europën Juglindore
6 Dhjetor 2010Pak dihet për autizmin, sëmundjen ende enigmë që prek rëndë funksionet e trurit. Ajo që dihet është se fëmijët e prekur prej saj duken normalë deri në moshën dy vjeçare kur sëmundja nis e shfaq simptomat e saj: probleme në komunikim, mbyllje në vetvete, pamundësi për të krijuar lidhje emocionale dhe shoqërore me moshatarët. Kuptohet situata e vështirë në të cilën ndodhet familja e fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje po të kihet parasysh stigmatizimi që shoqëria u bën gjithë të prekurve nga sëmundje të trurit.
Për fat të keq numri i autistëve nuk është i pakët. Shifrat zyrtare flasin për 1,5 milion njerëz të prekur nga autizmi në Europën Juglindore. Por tendenca në rritje e kësaj sëmundjeje nxori në rend të ditës krijimin e Rrjetit të Autizmit për Europën Juglindore për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përballimin më mirë se deri tani të sëmundjes. Në një takim rajonal të zhvilluar për këtë qëllim ditët e fundit në Tiranë, me nismën e Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë dhe Fondacionit "Fëmijët shqiptarë" morën pjesë 12 vende: Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Rumania, Sllovenia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Kosova , Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.
Rëndësia e krijimit të rrjetit SEAN
Pjesëmarrësit në këtë takim ishin të një mendjeje, kur theksuan se autizmi është një sfidë për t'u fituar nga strukturat e shëndetit publik në rang global njëlloj si kanceri apo SIDA. Përballimi i tij, theksuan ata, ka një kosto të konsiderueshme ekonomike dhe shoqërore, që lehtësohet nga bashkëpunimi në nivel global dhe rajonal. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, duke rrjeshtuar një sërë përfitimesh nga krijimi i Rrjetit të Autizmit për Europën Jug- Lindore tha për programin shqip të DW: “Të gjitha vendet e rajonit përshtasin të njëjtën gjuhë lidhur me sëmundjen, përdorim praktika mjekësore të përbashkëta dhe të konsoliduara tanimë, në tërë rajonin, eliminojme stigmatizimin e personave që vuajnë nga autizmi, dhe adaptojnë mënyra të përbashkëtya për përfshirjen e të sëmurëve në shoqëri për ta bërë atë gjithmonë dhe më të gjerë”
Dr. Liri Berisha, presidente e fonadacionit ”Fëmijët shqiptarë” që kuron fëmijët e prekur nga kjo sëmundje dhe njëherarazi inicuese për krijimin e këtij rrjeti e vlerëson krijimin e tij vetëm si një pikënisje për nisma të tjera: ”Partneriteti mes vendeve të Europës Juglindore për të përballuar sëmundjen e autizmit do të jetë një pikënisje shumë e rëndësishme për të patur një aksion të kordinuar, mundësi më të mëdha dhe shpresa më të mëdha në të ardhmen”.
Ndërgjegjësimi i publikut për autizmin i kapërcen kufijtë shtetërore
Përmes inidiativash të përbashkëta rrjeti i sapokrijuar do të rrisë ndërgjegjësimin e strukturave publike të shërbimeve shëndetësore si edhe atyre sociale që të prekurve nga sëmundja e autizmit t'u krijohet akses në trajtime mjekësore cilësore dhe t'u jepet mundësia për punësim dhe jetë të pavarur ekonomikisht nga familja. Objektiva të tjera të rrjetit janë bashkëpunimi në ekzaminim, diagnostikim, shërbimet shëndetësore, edukative si dhe në studimet epidemiologjike.
Ante Zvonimir Golem nga Kroacia, sekretar shteti në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, pjesëmarrës në takimin rajonal të Tiranës, thotë për ndërgjegjësimin publik: “Ai ka rëndësi të madhe. Ndërgjegjësimi i publikut për autizmin, veçanërisht në rastet e prekjes prej saj të fëmijëve është diçka që i kapërcen kufijtë shtetërorë. Në Evropën Juglindore po përpiqemi jo vetëm të garantojmë paqe dhe stabilitet por edhe bashkëpunim në shëndetësi, në çështjet sociale dhe fusha të tjera që kanë të bëjnë me njeriun, kapitalin më të çmuar. Bashkëpunimi ynë në fund të fundit ka të bëjë me reduktimin e varfërisë nga njëra anë dhe me përfshirjen më të mirë sociale nga ana tjetër. Pra, në fund të fundit, të përpiqemi të realizojmë deinstitucionalizimin e fëmijëve të sëmurë me autizëm”
Shqipëria është anëtare e nismës globale të autizmit për shëndetin publik, që është një përpjekje ndërkombëtare për rritjen e ndërgjegjësimit profesional, publik dhe të ekspertizës profesionale për autizmin.
Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani