"Kostot e falimentit të SHBA do të ishin tejet të larta!"
14 Tetor 2013DW: A besoni se SHBA të enjten do të shpallë vërtet paaftësinë likuiduese?
Fratzscher: Dyshoj që SHBA të enjten të shpallë paaftësinë për shlyerjen e detyrimeve, pasi kostot e një hapi të tillë do të ishin aq të mëdha, sa do të bënin të dukeshin të ulëta kostot e falimentimit të Lehman para pesë vjetësh. Për këtë arsye besoj se janë të ndërgjegjshëm që një falimentim i tillë do të kishte efekte gjigante në ekonominë e SHBA por edhe mbi ekonominë botërore. Megjithatë kjo është një lojë shumë e rrezikshme dhe shpresohet që së shpejti të marrë fund.
Çfarë mendohet në tregjet financiare, si do të përfundojë kjo?
Pritja në tregje është që nuk do të arrihet deri te falimenti, pasi kostot e tij janë shumë të larta. Shpresohet që të gjehet një zgjidhje por në të njëjtën kohë ka pasoja negative në ekonominë reale në SHBA dhe kjo duhet marrë parasysh.
Ofertat e republikanëve për kompromis shkojnë në drejtimin e rritjes së kufirit të borxhit për një kohë të caktuar. Kjo jep frymëmarrje në periudhë afatshkrutër, por loja do të vazhdojë më tej. Cilat do të ishin pasojat për tregjet?
Fratzscher: Obligacionet shtetërore të SHBA janë produkti financiar me siguri më të lartë. Pra jo vetëm tregu për obligacione shtetërore amerikane është gjigant, por edhe mijëra miliardë produkte të tjera financiare vlerësohen duke u krahasuar me këtë produkt si të thuash të sigurt. Kjo do të thotë që dita e shpalljes së paaftësisë shlyerëse nga SHBA do të sillte shëmbjen e të gjitha këtyre tregjeve. Pikërisht për këtë arsye është kaq e rrezikshme dhe ky treg aq i rëndësishëm.
SHBA nuk do t'i shmanget dot rritjes së kufirit të sipërm të borxhit. Por kjo politikë është larg një buxheti të konsoliduar. Cilat janë pasojat?
Fratzscher: Dhjetë vitet e fundit qeveria e SHBA ka ndjekur një strategji ekonomiko politike ndryshe nga p.sh. Gjermania. Janë rritur shumë shpenzimet publike në mënyrë që t'i jepej dorë ekonomisë të dilte nga kjo krizë. Deri tani kjo ka funksionuar në një farë mase mirë. Ka pasur ndihmë për ekonominë. Por tani ekziston rreziku që këto shpenzime të shkurtohen shumë fort. Dhe kjo do të thoshte natyrisht që rritja ekonomike në SHBA do të dobësohej mjaft, nëse nuk arrihet kompromisi për ndryshimin e kufirit të sipërm të borxhit.
Marcel Fratzscher është drejtor i Institutit gjerman për Studime Ekonomike në Berlin.