Kosovë: 30 ditë afat për konstituimin e Kuvendit
18 Gusht 2025Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, i cili urdhëron deputetët që brenda 30 ditësh të zgjedhin kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur. Po ashtu specifikohet qartë se propozimi për një kandidat nuk mund të hidhet në votim më shumë se tri herë. Me publikimin e vendimit të plotë, nis edhe afati 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga dita e hënë, 18 gusht, mund të mblidhen për të konstituar Kuvendin.
"Gjykata konstatoi që kryesuesi i seancës konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votim i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në aktgjykim.
Kufizim në 3 raunde votimi për të njëjtin kandidat
Partitë politike opozitare e kanë kundërshtuar vazhdimisht vendimin e kryesuesit të seancës, deputetit më të vjetër Avni Dehari, i cili ndryshoi formën e votimit për kryeparlamentarin nga i hapur në të mbyllur. Për këtë ndryshim Gjykata Kushtetuese konstatoi se është shkelur rendi i ditës. Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj, për të kufizuar në maksimalisht tri votime një kandidat për kryekuvendar, ka marrë shembull edhe votimin për president të Kosovës dhe postin e Avokatit të Popullit që bëhet në Kuvend.
"Kufizimi në 3 raunde votimi për të njëjtin kandidat, duke u bazuar në frymën e Kushtetutës dhe zgjedhjen e krerëve të institucioneve, është mekanizëm mbrojtës që siguron që vullneti i qytetarëve i shprehur përmes zgjedhjeve parlamentare të mos manifestohet në një boshllëk institucional shtetëror, por të jetësohet përmes konstituimit të Kuvendit si ushtrues i sovranitetit dhe si organ me kompetenca legjislative dhe mbikëqyrëse”. Prandaj, në këtë drejtim, Kushtetuesja në vendim tha se "njëkohësisht është edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm dhe se kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit”.
Kurti: Kohë për të menduar se çfarë duhet të bëjmë pas vendimit
Partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, akoma deri në mbrëmjen e së hënës nuk e ka komentuar aktgjykimin e plotë të Kushtetueses, por kreu i kësaj partie, Albin Kurti, që është edhe kryeministër në detyrë, gjatë ditës tha se partia e tij gjithmonë i ka respektuar aktgjykimet e Kushtetueses, por shtoi se kësaj radhe, "ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”.
"Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LVV-së, si subjekti më i madh në vend e Kuvend, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë pazakonshëm i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti.
Partitë opozitare e përshëndesin vendimin e Kushtetueses
Dy partitë më të mëdha opozitare të deritashme, thanë pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Kushtetueses, se është Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ajo që deri tash e ka bllokuar konstituimin e Kuvendit. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, tha se "ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime.
"I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, shkroi Krasniqi.
Abdixhiku: Shkelje flagrante të Kushtetutës
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, tha se "Gjykata Kushtetuese sot vërtetoi se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar në bllokimin e institucioneve të vendit”.
"Për 48 herë rresht – rekord i turpshëm dhe i pashembullt në historinë parlamentare – bllokuesit tejkaluan kompetencat, shkelën Kushtetutën dhe penguan konstituimin e institucioneve të vendit. Gjykata riafirmoi qartë se as Kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk mund të veprojnë jashtë Kushtetutës, e as të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë. Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit bëhet vetëm me votim të hapur, deri në tri herë për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30-ditor”, shkroi Abdixhiku.
Seanca konstituive e Kuvendit, që nga 15 prilli, nuk ka arritur të përmbyllet për shkak se asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vetë shumicën në parlament dhe po ashtu nuk kishte konsensus politik apo marrëveshje politike për të dalë nga ngërçi i krijuar. LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në zgjedhjet e 09.02. fitoi 48 vende dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e propozuar, Albulena Haxhiu, si kryetare të Kuvendit. Për emërimin e kryetarit të Kuvendit nevojiten të paktën 61 vota. Po aq nevojiten edhe për krijimin e qeverisë së re.