Kosovë: Dështon sërish konstituimi i kuvendit
17 Prill 2025Ka dështuar edhe një tentativë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi kryesuesi më i vjetër i kuvendit nuk hodhi në votim raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, raport ky që dështoi të miratohet edhe në seancën para dy ditëve. Kryesuesi kërkoi konsultime me partitë politike, edhe ato opozitare, por këto të fundit kërkonin që raporti të hidhej në votim. Meqënëse kishte qëndrime të kundërta, seanca u ndërpre dhe ajo pritet të vazhdojë pas 48 orëve, ditën e shtunë (19.04.2025)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, që doli partia e dytë në zgjedhje, tha se Lëvizja Vetëvendosje (VV), që doli partia e parë në zgjedhje, "po e zvarrit qëllimshëm mbarëvajtjen e seancës konstituive me qëllim të pazareve politike”.
"VV-ja po mundohet të blejë kohë për t'i bërë numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve. Këta nuk kanë shumicë parlamentare, e meqenëse nuk kanë, po duan të blejnë kohë, për të bërë pazaret”, tha Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, tha se "kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pa të drejtë dhe kundër rregullores së kuvendit”.
"Qytetarët e kanë shumë të qartë kush janë bllokuesit e vërtetë. Kryesuesi që është më i vjetri në moshë, rastisi të jetë nga partia e parë, veproi kundër rregullores së kuvendit, kundër praktikës kushtetuese, pa të drejtë ndërpreu seancën e sotme, edhe pse kishte kuorum të mjaftueshëm, ndonëse kishte kushte për votimin. Është për keqardhje kjo praktikë bllokuese për institucionin më të lartë. Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e rëndë, është sjellje e mbrapshtë politike”, u shpreh Abdixhiku.
VV: Duam të gjejmë zgjidhje
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje thonë, se ata duan që të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar në kuvend, duke përmendur këtu deklaratën e Presidentes së Kosovës, e cila u ka kërkuar deputetëve që të gjejnë zgjidhje.
"Ne duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të kuvendit, por duhet të shohim se si është mënyra për ta korrigjuar atë vendim”, tha Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja, duke shtuar se ata kanë vullnet që të propozojnë mënyra se si duhet shkuar tutje. "Pra, a do të jetë një komision i ri apo komisioni paraprak të bëjë përgatitjen e raportit të ri, mund të ketë dhe propozime të tjera dhe të vazhdojë”, tha Haxhiu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë më parë u kërkoi deputetëve, duke cituar nene të Kushtetutës dhe rregullores së kuvendit, që seanca konstituive duhet të vazhdojë jo më vonë se 48 orë nga ndërprerja e saj.
"Funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është detyrim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të veshur me autoritet publik”, tha presidentja Osmani, duke shprehur vullnetin e saj që të mirëpresë në zyrën e saj përfaqësuesit e partive politike, siç thotë, "për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme”.
Rohde: Me rëndësi një qeveri të qëndrueshme me një shumicë të mirë dhe konsensus
Tash për tash është një situatë e paqartë se si do të veprohet më tej. Edhe në seancën e së enjtes (17.04.2025) konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhnin kryetarin dhe nënkryetarët, që zgjidhen me të paktën 61 vota nga 120 ulëse sa i ka Kuvendi i Kosovës. Pastaj, në një seancë të radhës pritej të zgjidhej edhe qeveria e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, që doli partia fituese e zgjedhjeve, duhet të sigurojë po ashtu të paktën 61 vota për ta marrë edhe një mandat të tretë në krye të ekzekutivit. Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje i ka të siguruara 48 ulëse në Kuvend, ende nuk ka bërë të ditur emrin e të nominuarit të saj për postin e kryeparlamentarit, sikundër që zyrtarisht nuk ka bërë të ditur nëse ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme për zgjedhjen e tij dhe të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. LVV-ja më herët kishte deklaruar, se preferonte të krijonte institucionet e reja me komunitetet joserbe, por ditët e fundit e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvend, në mënyrë që të mund ta formojë edhe qeverinë. Tri partitë më të mëdha opozitare deri tash janë deklaruar se nuk duan të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Autoritetet ndërkombëtare, nga ana e tyre, kanë kërkuar nga klasa politike në Kosovë që sa më parë ta krijojë qeverinë e re. Në mesin e tyre, ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, thotë se Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme.
"Më e rëndësishmja është që të kemi një qeveri të qëndrueshme me një shumicë të mirë dhe konsensus për të formuar qeverinë e re”, tha Rohde për mediet lokale, duke shtuar se në këto kohë të paqëndrueshme gjeopolitike, "ajo që është në interes të vendeve dhe të popujve është të kenë qeveri të qëndrueshme”.