Kosova feston 17 vjetorin e pavarësisë
17 Shkurt 2025Kosova feston shtatëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare të nëntë shkurtit. Dy javë pas votimeve formimi i institucioneve të reja nuk duket se do të jetë afër. Kjo për faktin se ende nuk ka rezultate përfundimtare, por nga ato paraprake, sipas analistëve akoma është e paqartë nëse formimin e qeverisë së re mund ta bëjë lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtitme pakicat joserbe, apo partitë opozitare të bashkuara. Në të dy variantet, qeveria e Kosovës nuk duket se do ta ketë fuqinë e duhur vendimmarrëse përballë sfidave të shumta, si përmirësimi i gjendjes ekonomike, luftimi i varëfërisë, përmirësimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dialogu me Serbinë. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, me 17 shkurt në pervjetorin e pavarësisë ngritën flamurin shtetëror, duke uruar qytetarët dhe duke shprehur mirënjohje për ata që kanë kontribuar në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
"Një falenderim të përhershëm për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka në mënyrë që ne sot së bashku ta festojmë këtë ditë të shenjtë e historike”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, tha se "sukseset e Republikës sonë janë suksese të popullit, të institucioneve por edhe të partnerëve, miqve e aleatëve tanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës te Bashkimi Evropian dhe mbarë Perëndimi demokratik. Padyshim që mund të jemi krenarë, që i kemi dalë hakut sakrificës, flijimit të aq shumë dëshmorëve e martirëve”.
Telegrame urimi nga shumë vende të botës
Shumë udhëheqës botërorë në 17 vjetorin e pavarësisë, i dërguan letra urimi presidentes Vjosa Osmani. Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në urimin e tij, rikujtoi se shteti i tij, në shkurt të vitit 2008, ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. "Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës d
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se "përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet”.
"Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, thuhet në mesazhin e presidentit Macron.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në mesazhin e urimit për shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se lidhjet midis popujve të të dyja vendeve janë të forta dhe se pret zgjerimin e tyre. Trump tha, se "Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vazhdim të vitit”. Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës me Serbinë, luftë kjo që la pas vetes rreth 13 mijë të vrarë dhe të zhdukur. Pavarësia e Kosovës deri tash është njohur nga më shumë se 100 vende të botës.