Konkurrencë SHBA-ve me "blue card"
14 Shtator 2007Blu si flamuri i Evropës do të jetë ngjyra e kartës së emigrimit të cilën Komisari i BE-së për çështjet e brëndshme dhe të drejtësisë Franko Fratini (Franco Frattini) synon t'u ofrojë punonjësve të kualifikuar nga vendet jo anëtare të BE-së. Bashkimi Evropian ka nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar, sepse popullsia në vendet e BE-së po plaket. Shumica e punonjësve të kualifikuar nga vendet e ndryshme të botës emigrojnë në Amerikën e Veriut, tha Fratini dhe tani edhe Evropa duhet të bëhet interesante për të tërhequr elitën e këtyre vendeve.
Karta blu e Bashkimit Evropain do të jetë konkurrentja e "green card" të SHBA-ve, por ndryshe nga "green card", e cila përbën një leje qëndrimi të pakufizuar, "blue card" do të jepet fillimisht për dy vjet dhe marrja e saj lidhet me shumë kushte. Për shembull, rroga e emigrantit duhet të jetë shumë më e lartë se sa rroga minimale në vendet e BE-së. Shndërrimi i kartës blu në një leje qëndrimi të pakufizuar, e cila do të vlente për të gjitha vendet e BE-së, do të mundësohej pas disa vitesh pune. Për kartën blu mund të aplikojnë edhe studentët e huaj që studjojnë në vendet e BE-së dhe që dëshirojnë të qëndrojnë në këto vende. Ideja e komisarit të BE-së, Franko Fratini është që t'i harmonizojë dhe t'i bëjë më trasparente ligjet për emigrimin, që në të 27 vendet anëtare janë të ndryshme. Në rastin e Gjermanisë kjo kartë nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh, sepse në Gjermani ekzistojnë tashmë lehtësira për emigrimin e trurit nga vendet e huaja. Por pagesa prej 85 mijë eurosh që kërkohet prej autoriteteve gjermane për të lejuar një ekspert të huaj që të punojë këtu, është shumë e lartë nga ajo që përfytyron komisioni i BE-së.
Në fund të tetorit Franko Fratini do të prezantojë detajet e konceptit të tij. Pas kësaj ky projekt duhet të miratohet edhe prej ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të BE-së. Këta kanë vite që po përpiqen për gjetjen e një ligji të përbashkët për emigrimin. Sipas të dhënave të Komisionit të BE-së në vendet e Evropës gjejnë strehë 85 përqind e emigrantëve të pashkolluar nga e gjitha bota, ndërsa në SHBA vetëm 5 përqind e tyre. Rreth gjysma e emigrantëve që janë të shkolluar synojnë të emigrojnë në SHBA. Organizatat e ndihmës për zhvillimin dhanë alarmin se karta blu do t'i joshë ekspertët dhe punonjësit e kualifikuar të vendeve në zhvillim për në Evropë dhe këto forca do të mungojnë në vendet e tyre të origjinës.