Konflikt mes policisë dhe stafit të Akademisë Marubi në Tiranë për çështje pronësie
25 Shkurt 2009Me një vendim qeverie në dorë forcat e rendit pranojnë se duan të lirojnë disa ambjente të jashtme të Akademisë, që sipas saj janë zënë padrejtësisht. Por nga ana tjetër studentët dhe pedagogët po bëjnë qëndresë duke e konsideruar këtë si një vendim arbitrar kundër kulturës dhe artit.
Në ambjentin e diskutueshëm nonstop rrinë studentët, si dhe persona të tjerë që janë solidarizuar me ta. Më tutje janë instaluar disa njësi policore, të cilat janë në pritje për urdhërin e ekzekutimit të vendimit të qeverisë
Bora, studente në vitin e tretë, dega skenar, thotë për DW, se pret që kjo çështje të zgjidhet me negociata dhe në mënyrë ligjore, duke favorizuar artin e kulturën.
“Më kanë bërë presion ditën e martë tre punonjës të policisë duke më kërcënuar se do të më dërgonin në komisariat. Unë jam kundër dhunës, pro negociatave. Nuk mund të përdorësh policinë kundër studentëve, pedagogëve, artistëve. Me vullnet gjithshka zgjidhet në favor të shkollimit tonë si dhe të atyre që do të vijnë pas nesh”.
Ministri i kulturës Ylli Pango, në një takim me median ditën e martë nuk pranoi ushtrim të dhunës në ambjentet e Akademisë. Por la të nënkuptohet se gjithshka që ndodh është jashtë saj, në një territor që është zënë pa të drejtë.
“Askush nuk do ta prekë shkollën Marubi. Nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë ndërhyrje. Nuk ka patur dhe nuk ka asnjë sulm ndaj shkollës”, deklaroi ministri Pango.
Burime nga komisariati 4 në Tiranë, thanë për DW, se rektori dhe disa studentë të Akademisë, ditën e martë vetëm “janë shoqëruar në polici për të dhënë sqarime mbi kundërshtimin që ju bënë forcave të rendit. Nuk ka asnjë të arrestuar”.
Situatën po e monitoron dhe institucioni i Avokatit të Popullit, që u ka rekomanduar forcave të rendit “të tregojnë përmbajtje dhe të pezullojnë çdo veprim deri sa të ketë një qëndrim më të qartë mes palëve”.
Endrin Spahiu është në vitin e dytë për regji dhe nuk është dakort që hapësira para ndërtesës të prishet. Sipas tij, për ta krijuar atë mjedis funksional që është sot, është harxhuar energji dhe kohë, mund dhe talent, nga pedagogët, por dhe studentët.
“Na shërben drejtpërdrejt sepse kryejmë praktikën, por njëkohësisht është dhe vend ku zhvillohen veprimtari të ndryshme kulturore e artistike. Ja tani jemi duke përgatitur Festivalin e Filmit për të Drejtat e Njeriut, një traditë e konsoliduar e Akademisë Marubi. Zhvillojmë mbrëmje poetike shfaqim filma etj”, thotë Endrini për DW-në.
Ministri i Kulturës Ylli Pango thotë se ka një vendim të qeverive të mëparshme për t'i dhënë në përdorim pa shpërblim Akademisë vetëm 200 metra katrore.
“Në vend të 200 metrave katrore, nga rektori Çashku janë përdorur gjatë kësaj kohe 1822 metra katrore për shkollën. Dhe nga viti 2005-a nuk ka paguar asnjë qindarkë qera. Nuk do të kishim arritur në këtë situatë nëse Çashku nuk do të kërkontë të përvetësonte edhe rreth 3 mijë metra katrore tokë jashtë godinës së shkollës. Këtu është gjithë hileja, këtu është gjithë davaja, gjithë konfondimi”.
Por Elvis Hoxha pedagog i Estetikës në Akademinë e Filmit dhe të Multimedias Marubi, thotë për DW-në se nuk ekziston asnjë lloj ekspasioni apo zaptimi toke. Gjithshka është këtu në funksion të një shkolle arti. Një shkollë që sipas tij është model jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por dhe sipas standarteve europiane e më gjerë.
“Kjo është një shkollë e akredituar. Vendimi për funksionimin e saj është bërë nga qeveria. Në fillim u dhanë 200 metra katrore në përdorim. Por e imagjinoni që 200 metra katror nevojiten për një apartament, jo për një shkollë arti të këtij standarti që është Marubi. Atëhere kemi të bëjmë me vendime të qeverisë që kundërshtojnë njeri tjetrin. Hapërsira që përflitet së fundi është në funksion të Akademisë. Këtë e dinë edhe ata shtetarë të cilët sot nuk e di për çfarë arësyeje janë turrur me polici për të boshatisur një ambjent që i vlen artit. Patjetër që duan ta betonizojnë edhe këtë. Kjo nuk është e drejtë. Injorohet një veprimtari e konsoliduar që njihet jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera të botës”.
Grupe artistësh dhe intelektualësh janë duke hartuar një peticion si solidarizim me stafin e akademisë, duke iu bërë thirrje autoriteteve që të shikojnë zgjidhjet më të mira me dialog dhe në favor të artit e kulturës. Akademia e Filmit dhe Multi-medias Marubi është themeluar në tetor të vitit 2004. Gjatë kësaj periudhe ajo ka patur një partneritet për realizimin e projekteve me qeveritë e Francës, Gjermanisë, SHBA, Zvicra dhe vende të tjera.