Kompania gjermane "Berlin Wasser International AG" në Durrës
17 Gusht 2005Për qarkun e Durrësit problemi i furnizimit me ujë është një shqetësim shumë i vjetër. Gati trefishimi i numrit të banorëve, si dhe "bum-i" i ndërtimeve në 15 vjetët e fundit në këtë zonë e kanë agravuar edhe më shumë situatën, duke u bërë një pengesë serioze për qytetarët, bizneset, por dhe turistët e shumtë që frekuentojnë bregdetin durrësak në muajt e verës. Në bazë të një projekti të Bankës Botërore, për të përmirësuar gjendjen, sistemi i ujësjellës kanalizimevë në qarkun e Durrësit po menaxhohet nga kompania gjermane "Berlin Wasser International AG". Në bazë të një kontrate që ka kompania me Këshillin e Qarkut, operacioni menaxhues ka nisur afër dy vjet më parë. Tashmë ende disa zona periferike dhe pjesa e plazhit në këto muaj të verës kanë patur probleme dhe vështirësi për furnizimin me ujë. Banorët ankohen se prej javësh janë rikthyer rradhët e gjata në burime, të cilat ndodhen larg vendbanimeve të tyre. Ata shpenzojnë energji dhe kohë duke bartur ujë me bidona në diastanca të largëta dhe për këtë fajësojnë kompaninë gjermane, që sipas tyre është fajtore në krizën e ujit. Mungesën ose presionin e ulët të ujit e vuajnë dhe turistët nga Kosova dhe Maqedonia të cilët kanë zënë ambjente me qera në zonën bregdetare për të kaluar pushimet.
Autoritetet lokale në Durrës kanë zhvilluar ballafaqime me përfaqësuesit e "Berlin Wasser International AG", duke përcjellë dhe shqetësimet e komunitetit. Specialistët gjermanë nga ana e tyre shprehin shqetësime që kanë të bëjnë, sipas tyre, më shumë me moskuptimin nga banorët të detyrimeve që ata kanë në zbatimin e kontratës: të mos bëhen ndërhyrje të paligjshme në rrjet dhe lidhje ilegale, të mos e shpërdorojnë ujin për të vaditur kopshtet ose oborret, por dhe që në fund të fundit të paguajnë rregullisht faturat e konsumit që tashmë janë në nivelin e shlyerjes vetëm 60 përqind. "Kompania ka parashikuar disa investime të konsiderueshme për përmirësimin e sistemit të ujësjellës kanalizimeve në zonën e Shkozetit dhe të Spitallës, për të vënë matësat e harxhimit të ujit, duke i dhënë përparësi atyre që janë konsumatorë të mëdhenj"- thotë Richard Pope, përfaqësues i kompanisë, si një mënyrë për të vendosur nën kontroll konsumin e ujit. Gjithashtu kompania ka të gatshme vendosjen nën kontroll të rreth 38 lidhjeve nga tubacioni kryesor në Fushë Kuqe dhe për gjatë të gjithë rrjetit. Niveli i furnizimit me ujë për zonën është rritur me 10 përqind dhe po kaq pritet që të rritet dhe në vitin e ardhshëm, thonë përfaqësuesit e kompanisë gjermane. Njëkohësisht do të bëhet dhe rishikimi i tarifave. Sipas specialistëve të "Berlin Wasser International AG" "tarifat aktuale janë aq të ulura sa ato nuk mbulojnë koston e prodhimit". Këshilli i qarkut të Durrësit, i cili është bashkëkontrantues për projektin e menaxhimit të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve nga kompania gjermane, ka vendosur të mbajë nën vëzhgim çdo hap në ecurinë e punimeve, si dhe do të zhvillojë ballafaqime të tjera në të ardhmen. "Për të verifikuar ecurinë e kontratës, vendimet nga ana jonë do të merren në bazë të realizimeve dhe treguesve konkretë nga pala gjermane dhe jo nga letrat dhe premtimet" - shprehet kryetari këshillit të qarkut të Durrësit, Genc Alizoti. "Berlin Wasser International AG" menaxhon në të njëjtën kohë dhe sistemet e ujësjellës-kanalizimeve në rrethet e Sarandës, Fierit dhe Lezhës.