Kinë: Punëtorët emigrantë keqtrajtohen
3 Korrik 2007Katër muaj patën pritur punonjësit e një hidrocentrali në provincën e Kinës së Jugut Guangdong më kot që të merrnin rrogën- pastaj, 300 prej tyre u hodhën në një grevë. Pronari i hidrocentralit dërgoi një trupë rrahësish, të cilët e keqtrajtuan brutalisht punëtorët duke i rrahur me bela, sëpata dhe shufra celiku. Njëri nga të plagosurit vdiq.
Një situatë tipike, thotë Robin Munro nga organizata e të drejtave të punëtorëve "China Labor Buletin" në Hongkong: "Po t'i hedhim një sy bilancit të protestave të punëtorëve në dhjetë vitet e fundit, atëherë konstaton se punëtorët emigrantë dalin gjithnjë e më shumë në krye. Ata kërkojnë kushte më të mira pune dhe janë të guximshëm, që të dalin me këto kërkesa në publik dhe të protestojnë: kundër kushteve të shfrytëzimit në fabrika, kundër mungesës së sigurisë në punë, që çojnë në sëmundje epidemike dhe në plagosje. Kur ata vijnë nga fshati në qytet, shpesh ata kanë edhe një sens të fortë për sjellje korrekte."
Në rastin konkret të paktën, ata duket se kanë arritur një fitore të pjesshme. Katër nga rrahësit u arrestuan, ministri kinez i ndërtimit, Vang Guangtao urdhëroi ndërmarrjen e hetimeve. Mediave shtetërore iu lejua të raportojnë. Ky mund të jetë një sinjal i ri, një strategji paraolimpike e qeverisë, ose edhe një shenjë se presioni nga poshtë tek autoritetet po bëhet gjithnjë e më i madh: "Në shumë qytete në jug të vendit dhe në bregdet, janë punonjësit emigrantë ata që përbëjnë shumicën e forcës punëtore. Ata nuk janë vetëm një minoritet, që vjen nga jashtë. Në fakt, ata janë klasa e ardhshme punëtore e Kinës", thotë Robert Munro.
Punonjësit e qyteteve, thotë Robin Munro sillen krejt ndryshe nga punonjësit e fshatit: në uzinat e mëdha shtetërore, për dekada të tëra ata janë mësuar të ushqehen që kur lindin e deri sa vdesin, ndonëse në nivele modeste.
"Punonjësit emigrantë vijnë nga fshati. Për fshatin mund të thuash me të vërtetë se shumica e njerëzve nuk kanë përjetuar kurrë në jetën e tyre, që ndonjë sektor i qeverisë të vrasë mendjen për ta. Ata duhet të mbështeten tek vetvetja, të notojnë ose të fundosen, si të thuash. Kjo i bën të pavarur nga ana mendore."
Për Robin Munro-n, kontratat detyruese të gjera të punës dhe përfaqësuesit e pavarur të punonjësve janë i vetmi shans kundër zotërinjve nganjëherë të plotëfuqishëm në fabrika. Që prej 1 janarit 2008,një ligj i ri do të pengojë që punëtorët kinezë të punësohen pa kontrata, gjë që është më se e përhapur.