Kina thuajse nuk shihet në konferencën e OBT-së
17 Dhjetor 2005Kina dhe Organizata Botërore e Tregtisë - të paktën sa i takon publicitetit kjo lidhje ishte inegzistente: as njoftim për shtypin, as konferencë shtypi, nuk pati thuajse kurrfarë kontakti me shtypin. Pra mbretëria e mesit si dragua i padukshëm. Vetëm nëpërmjet gazetarëve kinezë u mësua se në bisedime Kina angazhohet për përjashtime kur është fjala për hapjen e tregjeve të veta. Fundja vendi u anëtarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë në fund të 2001-it e si anëtar i ri duhet të gëzojë të drejta të veçanta.
Në fakt Kina i takon grupit me ndikim G-20, por edhe këtu ajo mungonte: Si zëdhënës të këtij grupi u paraqitën në Hongkong para së gjithash Brazili dhe India. E çuditshme, si fuqi tregtare në ngjitje Kina duhet të jetë e interesuar që raundi tregtar i Dohës të përfundojë me sukses.
Jorgo Chatzimarkakis, i cili i ndoqi bisedimet në Hongkong në funksionin e deputetit në parlamentin evropian, beson se kinezët sidoqoftë do të jenë fitues:
"Besoj se në fund të këtyre grindjeve mund të fitojë i treti, Kina. Sepse ajo përfiton prej një rrjeti marrëveshjesh dypalëshe. Ata bëjnë dot edhe pa sistem shumëpalësh. Duke mos qenë këtu kaq agresivë, pa bërtitur mund të fitojnë në fund."
Aktualisht Kina po negocion marrëveshje të tregtisë së lirë me Australinë, Zelandën e Re dhe me shtetet aziatikojuglindore të grupit Asean.
Të vetmit që trajtuan hollësisht Kinën në konferencë ishin organizatat joqeveritare si për shembull Greenpeace, e cila me anë të një ekspozite fotografike paralajmëroi për pasojat e tregtisë me Kinën:
"Qëndrojmë para një reje të madhe të zezë dhe një zjarri që brambullon. Janë kabllo kompjuteri që digjen. Shumë prej këtyre kabllove vijnë nga Gjermania dhe nga porti i Hongkongut çohen në grumbuj të palejuar mbeturinash në Kinë ku digjen, siç shihet edhe në këtë fotografi. Kur nuk janë vetëm kabllo, atëherë çmontohen edhe aparate të tëra si telefona celularë apo kompjutera për të nxjerrë prej tyre edhe copat më të vogla metalike."
Daniel Mittler i organizatës Greenpeace shpjegon fotografitë e ekspozuara nga provinca Guangdong. Në to shihen liqene krejt të ndotura, fëmijë që luajnë mes kabllosh helmuese dhe gra që zbërthejnë pa mbrojtje pjesë kompjuterash. Zakonisht mbeturinat elektronike vijnë nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia e përmes Hongkongut futen pa doganë në Kinën jugore. E tëra kjo pasojë e tregtisë së lirë në këtë sektor.