Kina takon Evropën
14 Shtator 2006Republika Popullore e Kinës është etabluar në një fuqi ekonomike qysh në fund të viteve 90-të. Ajo renditet ndërkohë në kombin e katërt ekonomik të botës. Ç´pozicion do të marrë Kina në një botë të globalizuar? A do t´i vërë Kina nën kontroll dëmet e mjedisit që do të shkaktohen si rjedhojë e këtij globalizimi? Këto dhe çështje të tjera interesante preokupuan pjesëmarrësit në takimin e nivelit të lartë në Hamburg.
Në banketin e hapjes Karl Joahim Drajer, përfaqësues i lartë i Dhomës së Tregtisë së Hamburgut, siguroi mikun e nivelit të lartë nga Azia për mbështetje në fushën tregtisë: "Pala evropiane do t´ju mbështesë ju, zoti kryeministër, dhe vendin tuaj në zhvillimin e mëtejshëm. Për këtë arësye ne duam të përqëndrohemi tek reduktimi i barrierave tregtare mes Evropës dhe Kinës."
Në këtë dialog duhet gjithashtu të kemi parasysh forcimin e sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të krijohet një bazë e qëndrueshme për angazhimin në ekonominë private, theksoi më tej Drajer.
Ven Zhiabao theksoi, se ai ka përzemër edhe ndërtimin e shtetit ligjor dhe vazhdimin e kursit të reformave. Fjalë që tingëllojnë bukur kryeministri përdori edhe lidhur me temën e tregtisë: "Unë e di, që tregtia mes nesh përbën një deficit për BE-në. Ne synojmë tregti të ekujlibruar. Qëllimi ynë nuk është që të arrijmë mbifitim tregtar. Ne duam të importojmë më shumë nga BE-ja dhe nga Gjermania, kryesisht në fushën e high tech-ut ."
Ven premtoi, se do të përpiqet më shumë për mbrojtjen e pasurisë shpirtërore, gjë që u përshëndet prej ish-kancelarit Helmut Shmid. Ky i fundit në fjalimin e tij nuk i kurseu lavdërimet dhe shprehjen e mirënjohjes për mikun me "sytë që qeshin": "Kina është shembull për të gjitha vendet në zhvillim të botës. Unë e di se sa e vështirë është, që të qeverisësh 80 milionë njerëz. Popullsia e Kinës ka 15 herë më shumë banorë se Gjermania. Ndaj është shumë më e vështirë, që të qeverisësh një vend si Kina se sa një vend si Gjermania."
Pala gjermane dukej e preokupuar të bënte gjithçka për mirëpritjen e delegacionit me mëse njëqind antarë nga Kina. Një ndër këto përpjekje ishte edhe theksimi i gjuhës që përdor qeveria kineze. Spektakli me fishekzjarrë pas banketit në liqenin Alster titullohej "natë harmonike mes Gjermanisë dhe Kinës", çka nënkupton një parrullë të partisë komuniste për ndërtimin e shoqërisë harmonike.